PS: Nuk njohim zgjedhjet dhe Kuvendin
adi shkembi
Partia Socialiste akuzon Kryeministrin Sali Berisha se po përdor Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të manipuluar procesin elektoral të 28 qershorit. Pak para se KQZ-ja të merrte vendim për të mos numëruar nëntë kutitë e Fierit, kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, paralajmëroi se forca më e madhe në opozitë nuk do të njohë zgjedhjet dhe të gjitha institucionet që do të dalin pas tyre. “Prej 8 ditësh, për këtë shkak zgjedhjet po kthehen në vjedhje, zgjedhjet nuk kanë rezultatin që ka krijuar vota e popullit, zgjedhjet po delegjitimohen, zgjedhjet po delegjitimojnë çdo institucion që do të dalë prej tyre. Në emër të Partisë Socialiste, ne duam të sigurojmë çdo shqiptar dhe faktorin ndërkombëtar se kemi bërë çdo përpjekje ligjore për të mbrojtur zgjedhjet nga delegjitimimi i tyre dhe nga vjedhja”, theksoi Ruçi. Gjatë një konference për shtyp, zyrtari i lartë i PS-së, theksoi se edhe pse tetë ditë pas zgjedhjeve ende nuk ka një rezultat përfundimtar të tyre. Ruçi vuri theksin gjithashtu te përgjegjësitë e Kryeministrit Berisha dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për deligjitimimin e procesit. “Prej 8 ditësh Sali Berisha, njeriu që komandon politikisht shumicën e tij të vogël në KQZ, në shkelje të plotë të ligjit dhe në dhunim të të gjithave parimeve kushtetuese, po ju mohon shqiptarëve të drejtën legjitime të llogaritjes së votimeve të tyre dhe transparencës për çdo votë të hedhur në kutitë e votimit”, vijoi më tej Ruçi. Sipas tij “por vullneti i Sali Berishës për të vjedhur zgjedhjet po del mbi ligjin dhe mbi çdo institucion kushtetues që administron zgjedhjet. Vullneti i Sali Berishës dhe Ilir Metës, për të mos bërë transparente çdo votë, po del mbi vullnetin e ligjit dhe detyrimit të çdo institucioni kushtetues që administron zgjedhjet për të treguar në dritë të diellit çdo votë”. Më tej kreu i asamblesë kombëtare të PS-së theksoi se mohimi i numërimit të votave të nëntë kutive të Fierit është provë se qeveria e re e dalë nga koalicioni Berisha- Meta po synon të manipulojë procesin, jo vetëm në këtë qark por edhe në Tiranë, Shkodër e Berat. “Në emër të Partisë Socialiste ne duam t’i bëjmë apelin e fundit Sali Berishës të heqë dorë përfundimisht nga cenimi i votës së shqiptarëve, duke nisur nga vota e qytetarëve të Fierit, në të kundërt do të mbajë mbi vete gjithë përgjegjësinë e delegjitimimit të zgjedhjeve, mos njohjes së rezultatit të tyre dhe delegjitimimit të gjithë institucioneve të dala prej tyre”, vijoi më tej Ruçi. Por përveç denoncimit të parregullsive në qarkun e Fierit, Partia Socialiste ka denoncuar një sërë parregullsish në procesin e votimit në qarkun e Shkodrës. Kandidati i PS-së në qarkun verior, Ilir Beqja hodhi dyshime mbi fletën e votimit si dhe përmendi disa qendra votimi kur forma më e madhe e opozitës doli me zero vota. “Në qendrën e votimit 247, të gjitha fletët e votimit duhet të shpallen të pavlefshme pasi është parë botërisht që përmasa e tyre ka qenë më e vogël se përmasa ligjore e miratuar. Fletët janë prerë me mjet të fortë mekanik, çka lë vend të mendohet se ato nuk kanë qenë fletët zyrtare të prodhuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në qendrën e votimit 285 janë 97 fletë votimi të cilave nuk është hequr kundra fleta. Në qendrën e votimit 313 janë 25 fletë votimi të vulosura me bojë tjetër”, theksoi Beqja. Sipas tij “Në ZAZ 42, rezultatet e shpallura pas numërimit të disa qendrave të votimit janë larg çdo rezultati të mëparshëm dhe certifikojnë manipulimet e bëra nga qeveria e Sali Berishës. Në qendrën e votimit 186, rezultati për Partinë Socialiste shënon 0 vota. Në qendrën e votimit 187, Partia Socialiste ka marrë sërish 0 vota. Në qendrën e votimit 190 për Partinë Socialiste janë 4 vota nga 120 të vlefshme”.
4 llojet e manipulimeve
Në qendrën e votimit 247 të gjitha fletët e votimit duhet të shpallen të pavlefshme, pasi është parë botërisht që përmasa e tyre ka qenë më e vogël se përmasa ligjore e miratuar.
Në qendrën e votimit 313 janë 25 fletë votimi të vulosura me bojë tjetër.
Në qendrat e votimit 317 dhe 319 janë përdorur vula me dy ngjyra të ndryshme.
Në disa qendra votimi PS ka pasur zero
vota në kuti