E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk i jep pagën, bariu qëllon me sëpatë pronarin

Fier

Paga e pamarrë prej disa muajsh ka detyruar një çoban që të ngrejë dorë mbi punëdhënësin. Sipas burimeve të policisë së Fierit, çobani ka goditur disa herë me sëpatë në kokë Pajtim Shahinin. Agresori është arrestuar 30 minuta pas ngjarjes, ndërkohë që pronari i stanit është dërguar urgjentisht në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku mësohet se gjendet në kushte kritike për jetën. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Parcelat e Sheqit”, në stanin e bagëtive në pronësi të Pajtim Shahinit. Mësohet se Bujar Kasaj, 44 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Roskovec të Rrethit të Fierit, punonte si bari prej afro një viti. Nga burimet policore mësohet se Kasaj prej disa muajsh nuk kishte marrë pagën dhe kjo ka bërë që mes dy burrave të kishte konflikte. Madje, ai ka pretenduar se ishte i detyruar të qëllojë mbi pronarin Shahini, pasi ndihej i rrezikuar për të humbur vendin e punës, por edhe të mos merrte lekët. Sipas dëshmive të siguruara nga grupi i hetimit mësohet se pronari i stanit i kishte thënë bariut se do ta paguante vetëm në rast se puna do të ishte e kënaqshme. Kjo ka revoltuar bariun Bujar Kasaj, i cili në debat e sipër, e ka qëlluar me një sëpatë të vogël në kokë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›