E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi në Ministerialin e NATO-s: Shqipëria do vazhdojë rolin aktiv brenda aleancës

TIRANË -Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi gjatë fjalës së tij në punimet e takimit të Ministerialit të NATO-s, i cili u mbajt dje në Bruksel, nënvizoi se Shqipëria do të vazhdojë të ketë një rol aktiv brenda aleancës si dhe në operacionet e saj, përfshi Afganistanin.

Kontributi i deritanishëm është një tregues i rëndësishëm i angazhimit të vendit tonë në drejtim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit kudo në botë, përfshi edhe rajonin”. Lidhur me zhvillimet në Afganistan dhe angazhimet mbas vitit 2014, Ministri Bumçi theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë dhe do të mbetet e angazhuar. Gjatë këtij Ministeriali u diskutua edhe për dialogun mesdhetar. Ministrat theksuan se bashkëpunimi me këto vende është i rëndësishëm që ky rajon të jetë një rajon në paqe, i sigurt dhe me zhvillim të qëndrueshëm.

Duke përshëndetur marrëveshjen historike të arritur midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Ministri Bumçi tha se “transformimi i rajonit nga vende në luftë në vende anëtare të NATO-s është një mrekulli që erdhi falë ndërhyrjes së NATO-s. “Marrëveshja e arritur do të fuqizojë bashkëpunimin rajonal dhe hap një perspektivë të re të integrimit të Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Po në kuadër të Ministerialit të NATO-s Ministri Aldo Bumçi pati një takim dypalësh me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Italisë Mario Monti, ku kryediplomati shqiptar vlerësoi rëndësinë strategjike që ka bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë. ”Forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare përbën një bazë të sigurtë për fuqizimin e mëtejshëm të investimeve italiane direkte në Shqipëri”, tha Bumçi.
Duke iu referuar finalizimit të Projektit TAP, Ministri Bumçi edhe njëherë vlerësoi rolin e rëndësishëm që luan Italia në këtë drejtim. Ndërsa Kryeministri Monti u shpreh se Italia do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE dhe marrjen e statusit të vendit kandidat sa më shpejt. Lidhur me Projektin TAP, Monti tha se “është një objektiv strategjik për Italinë dhe zgjidhja më e mirë në kuadër të korridorit të Jugut”.

Gjatë këtij aktiviteti, Ministri Aldo Bumçi pati një takim edhe me homologun turk Ahmet Davutoglu ku u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve si dhe trendi në rritje i investimeve turke në Shqipëri, të cilat janë përqendruar në fusha të rëndësishme të ekonomisë si energjia, industri përpunuese etj. Ministri Bumçi vlerësoi nivelin e shkëlqyer të dialogut politik mes dy vendeve, me bindjen se ai përbën një shtysë të fuqishme për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, por edhe në projekte me rëndësi strategjike si TAP. Ministri i Jashtëm turk siguroi homologun shqiptar se Turqia inkurajon sipërmarrësit e saj për të investuar në Shqipëri si dhe inkurajoi rritjen e bashkëpunimit dhe kontakteve ndërmjet bizneseve të dy vendeve.

Po ashtu ministri i Jashtëm turk u shpreh se Turqia mbështet Projektin TAP dhe do të vazhdojë ta mbështesë deri në finalizimin e tij.

Bumçi takoi edhe homologun grek Avramopulos dhe atë sllovak Linkevicius ku u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe zhvillimet në rajon. Po ashtu në këto takime u diskutua për marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ndanë mendimin se arritja e kësaj marrëveshjeje afron të dy vendet drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

Një tjetër takim i shefit shqiptar të diplomacisë ishte edhe ai me homologun Lituanez Linas Linkevicius, vendi i të cilit, do të marrë Presidencën e radhës të BE-së në gjysmën e dytë të këtij viti. Të dy ministrat evidentuan bashkëpunimin dhe mbështetjen reciproke në kuadër të pjesëmarrjes në Organizatat Ndërkombëtare si OKB-ja, NATO, OSBE-ja etj.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›