E Diel, 1 Nëntor 2026

Vranë priftin për ta grabitur, pranga 3 shqiptarëve

ARRESTIMIArrestohet në Elbasan vrasësi, dy bashkëpunëtorët kapen në Itali
Është arrestuar në qytetin e Elbasanit një 35 vjeçar që kishte masakruar për vdekje priftin italian Mario Del Becaro, brenda kishës së tij Shën Bartolomeu në Pistoia të Firences, duke e grabitur, ndërsa janë vënë në pranga edhe tre bashkëpunëtorët e tij tre shqiptarë të dyshuar, mes tyre dy vëllezër. Një operacion i koduar Pistoia, zhvilluar mes policive të dy vendeve gjatë 24 orëve të fundit, bashkë me Interpol Romën dhe Tiranën, çoi në pranga të kërkuarit, dy prej tyre në vendin fqinj dhe tjetri në Elbasan. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit dhe Elbasanit bënë me dije se arrestuan me forcat RENEA mëngjesin e djeshëm duke lëvizur në qytet, Gazmor Haxhillari, 35 vjeç, banues në lagjen nr. 3 të Cërrikut, i dënuar në mungesë nga gjykata italiane me burgim të përjetshëm për këtë ngjarje, me akuzën vrasje në rrethana rënduese. Kurse në Itali, në të njëjtën kohë, janë kapur Bledar Haxhillari, vëllai i Gazmorit dhe shoku i tyre Fajton Kaja, të akuzuar si bashkëpunëtorë në krim.
Vrasja
Më 29 dhjetor të vitit të kaluar, tre të dyshuarit akuzohen se kanë hyrë në kishën e zonës së Tizzana, në Quaratta, duke lidhur pas karriges priftin Mario Del Becaro, 63 vjeç dhe e torturuan duke e mbytur për vdekje pasi i lidhën fytin dhe gojën. Karabinierët e gjetën të pajetë të moshuarin Dom Bacaro dhe nisën hetimet, ndërsa ditë para krimit kishin arrestuar edhe një 29-vjeçar emigrant nga Evropa Lindore që e kishte kërcënuar priftin. Media italiane në atë kohë hodhi dyshime edhe për një përfshirje të priftit në aferë seksuale dhe më tej shantazhimin nga personi me të cilin kishte lidhje për qëllime përfitimi. Por si karabinierët, ashtu dhe policia shqiptare, bënë dje me dije se i dyshuari kryesor për vrasjen, Gazmor Haxhillari, ishte person mjaft i njohur për precedentët e grabitjeve të dhunshme. Më 2001 ai ishte dënuar nga gjykata italiane bashkë me dy vëllezërit e tij të tjerë po për grabitje.
Hetimet
Policia italiane arriti tek tre të dyshuarit nëpërmjet mbledhjes së gjurmëve të gishtërinjve, dëshmive dhe shqyrtimit të kamerave të sigurisë në rrugën ku ndodhi krimi. Madje në vendngjarje u konstatua se ishte kryer grabitje e kasafortës ku mbaheshin paratë e kishës, sende me vlerë nga kisha dhe madje materiale në makinën e priftit 63-vjeçar, e cila u gjet kilometra më tej e braktisur. Policia e Shtetit bëri me dije se gjatë aksionit për arrestim, Haxhillari nuk ka bërë rezistencë dhe është izoluar në paraburgimin e Elbasanit, në pritje të masës së sigurisë për ekstradim drejt vendit fqinj. Kurse dy të ndaluarit e tjerë sipas policisë, janë thjesht bashkëpunëtorë në grabitje. Ekspertiza kishte konfirmuar se prifti me origjinë nga San Benedetto, me 27 vite karrierë në shërbim të kishës, ishte torturuar duke u rrahur, mbytur me një rrip shtrëngues rreth qafës dhe mbylljes së gojës me letër ngjitës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›