E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ture paraelektoralë të panevojshëm

Ilir Kalemaj

Duket se ngërçin, që duket se nuk po arrijnë ta tejkalojnë në dobi të atij elektorati, që i ka votuar me shpresën për të përmbyllur tranzicionin e pafundmë dhe përshpejtuar ritmet e integrimit, mazhoranca dhe opozita po e mbartin tjetërkund. Në vend të një qasjeje institucionale, duket se palët kanë rënë dakord për një thirrje direkte, për mbështetje elektoratit respektiv, ku opozita ka marrë flamurin për një cytje të turmave mbështetëse, në rast se teka e saj për hapjen e kutive nuk plotësohet, me një varg mitingjesh që do kulminojnë më 30 prill në Tiranë. Ndërsa nga ana tjetër janë dhe turet e herëpashershme propagandistike qeveritare, për t`i treguar elektoratit në periudha jo domosdoshmërisht elektorale, punët e mira të Qeverisë. Kjo duhet të jetë risi e veçantë e politikanëve të llojit tonë, pasi nuk të zë syri anekënd globit që politikanë në fillim apo në mes të mandatit qeveritar, pa qenë nevoja për të bindur kënd për një referendum të ri, a domosdoshmërinë e një reforme të re, apo për të krijuar një klimë mbështetje për një politikë apo ideologji frugale, të vendosin të ndërmarrin ture 'informues' për popullin.
Kjo është bërë tashmë një praktikë e zakonshme prej kohësh dhe pavarësisht rotacioneve politike, duket se nuk habit më askënd. Por kjo nuk do të thotë që është diçka që duhet pritur me një ndjesi normaliteti, sikur të ishte një praktikë e rëndomtë demokracie dhe një marrëdhënie normale transparente e të mandatuarve për të qeverisur me publikun. Ashtu sikundër na paralajmëron shkrimtari Ivo Andric, në romanin e tij të famshëm 'Ura mbi Drin', "kurdoherë që një Qeveri ndjen nevojën e premtimit të paqes dhe prosperitetit qytetarëve të tij, është koha të jesh vigjilent dhe të presësh të kundërtën."
Kjo nuk ka të bëj as me domosdoshmërinë e shpjegimit që politikanët profesionistë shpesh duhet t`u bëjnë masës së gjerë të publikut, shpesh injorant (dhe kjo jo e marrë në kuptimin pezhorativ të fjalës por thjesht si mungesë njohurish të veçanta), në lidhje me një politikë të caktuar. Kjo ndodh për shembull në vende ku praktika e referendumit është e konsoliduar si në kantonet e Zvicrës dhe ku votuesit bashkë me fletën e votimit, i këshillohet dhe mënyra e zgjedhjes dhe përfitimet për aksh apo akcilë pozicion. Por në një vend ku thuajse nuk njihet institucioni i referendumit, ndonëse i garantuar kushtetueshmërisht, kjo duket si proklivitet i klasës politike për demagogji. E thënë popullorçe, 'të shesësh sapunin për djathë'.
Megjithë mungesën e informacionit plural, që shumica e vendit ka edhe si rrjedhojë e infrastrukturës dhe faktorëve të ndryshëm socio-kulturorë, nuk është e nevojshme që përveç bombardimit konstant dhe standard të paradave televizive të krerëve dhe zëdhënësve partiakë, të shoqërohen dhe me ture paraelektoralë, të cilat rrallë ngrenë probleme apo parashtrojnë zgjidhje. Më tepër kujdesen për kurimin e imazhit publik, nën ndikimin e spin doctors, që mbeten pjesë e natyrshme e ekzistencës politike të një partie. Kjo në vetvete nuk është diçka domosdoshmërisht e dëmshme apo që nuk ndodh tjetërkund, por e veçanta në rastin shqiptar është që është 'pa bukë', pra e pashoqëruar nga veprime konkrete, të cilat materializojnë retorikën e skajshme pompoze dhe megalomane, që nuk i përgjigjet realitetit shqiptar të mbërthyer nga kriza.
Dhe këtu nuk është fjala thjesht dhe vetëm për efektet e krizës botërore, por për një krizë të përgjithshme social-ekonomike, por edhe mentaliteti të përgjithshëm (dimensioni reagues i opinionit publik), i cili duket se ka rënë në gjumë letargjik dhe shpesh i merr të vërtetat e politikës së ditës si dogma fetare. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet anomia e përgjithshme në vend, në kushtet ku jo më larg se vendi fqinj, për mos të folur pastaj për shumicën e vendeve evropiane ka një lloj reagimi publik, shpesh dhe të gabuar por gjithsesi të nevojshëm për mbrojtjen e vlerave demokratike të një shoqërie, ku natyrshëm ndër primaret është dhe e drejta për të protestuar. Ndryshe paradat e sukseseve do vazhdojnë të na shoqërojnë, ndërkohë që për shkak të politikave të gabuara të pushtet-mbajtësve të sotëm dhe të djeshëm, vazhdojmë të kemi një realitet krejt tjetër, realitetin e një vendi që e shohim çdo ditë lakuriq, por kemi pak forcë ta ndryshojmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›