E Shtunë, 31 Tetor 2026

I sëmuri psikik godet me thikë kalimtarin 63-vjeçar

06/02/2009  Rëndë, por jashtë rrezikut. Agresori kurohej nga mjekë psikiatër, i dhunshëm në lagje

DURRES- Një shtetas nga Durrësi i moshës 63 vjeç është dërguar në repartin e pranimit të urgjencave pasi ai është therur në bark dhe në pjesë të tjera të trupit nga një i sëmur mendorë. Ngjarja ka ndodhur në mes të ditës së djeshme në lagjen numër 18 të qytetit ku banon i dëmtuari Mehmet Hoxha si dhe agresori Muharrem Kokomani.

Agresioni

I sëmuri, i cili sipas policisë rezulton të jetë me kartelë mjekësore, ka pasur një thikë në dorë në kohën që ecte në trotuar, por askush nuk e ka çuar në mend se kalimtari 63-vjeçar do të bëhej viktimë. Sipas policisë, gjithçka ka ndodhur në ora 13.30 dhe dëshmitarë të ngjarjes kanë dëshmuar se Hoxha është qëlluar sapo 40-vjeçari Kokomani është afruar pranë tij. Në kohën e ndodhisë fare pranë ngjarjes kanë qenë shumë qytetarë, të cilët e kanë pasur të vështirë të kuptojnë se cila ka qenë arsyeja që Kokomani pa bërë asnjë lloj debati ka zgjatur thikën në drejtim të 63-vjeçarit. I dëmtuari ka marrë plagë, të cilat i kanë shkaktuar hemorragji të madhe, por ndërhyrja e shpejtë si dhe dërgimi pa vonesë në spital e kanë nxjerrë jashtë rrezikut për jetën. Edhe pse të dy personat jetonin në të njëjtën lagje mësohet se 63-vjeçari nuk e njihte të sëmurin mendor dhe se kjo ka qenë edhe arsyeja që ai nuk ka pasur asnjë lloj shkaku të trembej apo të ruhej. Në mesin e grumbullit të kureshtarëve për të mësuar se çfarë kishte ndodhur kanë qenë edhe disa persona që kanë njohur shtetasin Muharrem Kokomani. Ata madje kanë sinjalizuar policinë se 40-vjeçari kishte qëlluar me thikë një burrë në moshë, i cili ishte viktimë e rastit të agresorit. Kokomani sipas policisë është nën trajtim nga specialistë psikiatër, ndërkohë që thuhet se ai është një ndër personat agresiv në lagje dhe ka ndodhur edhe herë të tjera që ai ka sulmuar fëmijë dhe të rritur. Familjarët janë të detyruar të tregojnë jo vetëm kujdes, por edhe të jetojnë nën ankth pikërisht se agresorët e sëmurë mendorë qëllojnë ndaj fëmijëve kureshtarë, të cilët tërhiqen e ndjekin nga pas këtë kategori që flet me vete apo lëshon britma pa adresë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›