E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndërtohet skena e masakrës, si i vrau Dritan Dajti 4 policët në Durrës

 

Ferdinand Dervishi

Telefonata ankthndjellëse ishte bërë nga kreu i Sektorit të Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në celularin e drejtuesit në terren të kësaj skuadre, oficerit Fatos Xhani, që pak kohë më pas do të humbte jetën, pa e kuptuar kurrë se si. Telefonuesi kishte sqaruar vartësin e vet se si duhet të vihej në ndjekje të një makine “Volkswagen Tuareg” me targa italiane, brenda së cilës fshihej një peshk vërtet i madh. Kaq. Asnjë shpjegim më tepër. Asnjë identitet. Ndërsa fjala ishte për Dritan Dajtin, të kërkuarin e madh të policisë shqiptare, të njëjtin që gjashtë vjet më parë kishte shokuar opinionin, duke u arratisur si James Bond nga Gjykata e Tiranës, të njëjtin që i ishte përmendur emri në ekzekutimin me bombë të komanduar me celular të së zotit të një prej lokaleve më të njohura në Tiranë, të njëjtit që përflitej se pas arratisë nga gjykata, kishte rrjepur me gjoba marramendëse një numër tregtarësh të fuqishëm që kanë bizneset në dy anët e autostradës Tiranë-Durrës, të njëjtit që përflitej se siguronte leje ndërtimi për klientë të vet nën kërcënimin e grykës së pistoletës, të njëjtit që si bëmën më të freskët, që qarkullonte në nënbotën e krimit, apo në linjat e informacionit të rezervuar, kishte rrahjen publike të një përfaqësuesi të lartë të shtetit në të njëjtin qytet ku fshihej...
Dilemat e drejtuesit të operacionit
Në të vërtetë drejtuesi i Sektorit të Operacioneve Speciale, që nuk përmendi emrin e të kërkuarit të madh, një personazh i lakuar kryesisht si pozitiv dhe i suksesshëm, duhet të ketë qenë ato momente deçizive, në një dilemë të pazakontë. Një dilemë nga ato ku përtej fatit personal, në rast të mos kthimit pas, shpatullat duhet të jenë të çelikta për të mbajtur përgjegjësitë e fateve të vartësve, të më shumë se dhjetë të tillëve. Por drejtuesi kishte një arsye të fortë dhe jo vetëm, të ruante deri në fund sekretin. Prej kohësh Dritan Dajti ishte kthyer në sfiduesin e pashembullt të forcës së shtetit. Të forcës që një shteti ku profesionalizmi në polici, sapo nis të kultivohet, shkatërrohet me një të rënë të sëpatës dhe shkon në startin e disa viteve më pas, sa herë që një formacion i ndryshëm politik merr pushtetin. Ose, ose, të forcës së një shteti që në një moment të caktuar, pas shpërthimit të një ngjarjeje të madhe, tulatet në mosfunksionim normal, apo më keq akoma përdoret për mbuluar hesape të politikës. Pikërisht këto kohëra të një policie të shkrehur, duket janë peshuar mirë në mendjen e njeriut në dilemë. Ai kishte dijeni të plotë për nisjen dhe dështimin shembullor dy herë radhazi të trupave elitë RENEA të policisë për kapjen e Dritan Dajtit në Durrës, dështime që ishin regjistruar muajt e fundit. Ai ishte i bindur, se në mos brenda radhëve të RENEA-s, Dritan Dajti duket të kishte një informator të paktën në policinë lokale. Pra, e mira e të mirave ishte që emri i Dritan Dajtit të mos dilte kurrë nga buzët e tij. Të mos i thuhej askujt, qoftë edhe pjesëtarëve më të besuar të skuadrës së tij. Nga ana tjetër, duke vënë gjithçka në peshore, ai duhet t’i ketë mbushur mendjen vetes edhe duke bërë llogaritë e superioritetit të më shumë se dhjetë policëve të skuadrës, që kishin të paktën nga 10 vjet përvojë, që kishin realizuar mbi 100 operacione, që të gjitha të suksesshme. Ndërsa si gramaturë të fundit për të bërë balancën të anohet në drejtimin nga po i shkonte zemra, duket ka shtuar veten. Duke qenë edhe vetë në aksion, gjithçka do të ishte më e kontrolluar, më e motivuar, më zyrtare. Këtu drejtuesi duket ka vendosur përfundimisht të luajë me riskun. Vetëm kështu, vetëm duke marrë përsipër gjithçka vetë, ai do të kishte një mundësi të artë të kapte të kërkuarin e madh, një mundësi që mund të hidhej sakaq në erë nëse do të hapte buzët të lëshonte emrin e të kërkuarit të madh duke lajmëruar qoftë trupat e RENENA-s, qoftë policinë lokale të Durrësit. Deri këtu logjika e drejtuesit të Sektorit të Operacioneve Speciale duket krejt e pranueshme. Por makina me të cilën kishte menduar të ngjiste terrenin e vështirë, nuk ishte për atë punë. Sepse skuadra nën urdhrat e tij, e specializuar për vëzhgim dhe gjurmim të keqbërësve, kryesisht të krimit të trafikut të drogave, nuk ishte e specializuar për ndërhyrje, ndalime apo përballje me armë. Për më tepër skuadra nën urdhrat e tij ishte shumë larg kalibrit të njeriut në anën tjetër, që duhet të prangosej e që quhej Dritan Dajti.
Starti i operacionit  
Një orë më pas, duke thirrur edhe ata oficerë që ishin me leje, grupi i policisë, vendosur në dy autovetura dhe një motoçikletë, identifikon fuoristradën “Tuareg” që duhet të kishte “peshkun e madh” brenda dhe duke u munduar të mos diktohej, nis operacionin e gjurmimit. Urdhri duket ishte që të ndërhyhej në një moment të përshtatshëm. Nuk dihet nëse i superkërkuari Dritan Dajti dhe dy shoqëruesit e tij, Ledion Mara dhe kunati, Erges Xhoxhi, e vunë re se po ndiqeshin nga pas, por gjithsesi ndërhyrja është realizuar si e padekonspiruar, menjëherë pasi makina ishte afruar zonës së pistës së vjetër “Iliria” në plazhin e Durrësit. Duket në këtë moment urdhri përmes celularit për Fatos Xhanin, që ishte më afër shënjestrës me makinën e grupit të vet, kishte qenë: Veproni në momentin që do të parkojnë. Sepse pikërisht në kohën kur makina “Tuareg” ka gjetur një vend parkimi, makina e parë e grupit të policisë të drejtuar nga Fatos Xhani, një autoveturë “Ford” pa targa, ka ndalur paralel me të, duke i bllokuar në njëfarë mënyre edhe rrugën. Një frenim i bërë në kohën kur dy dyert e para të makinës “Tuareg” ishin hapur dhe nga andej ishin bërë gati të dilnin dy shoqëruesit e Dajtit, kunati Erges Xhoxhi dhe Ledion Mara.   
Vrasja e Saimir Duçkollarit
Sipas versionit përfundimtar të hetimit, ngjarja që solli vrasjen e katër policëve ka nisur dhe përfunduar për afërsisht 60 sekonda, diku rreth orës 13:45 të datës 7 gusht 2009. Në timonin e makinës “Ford”, të përdorur nga policia, ishte pozicionuar Kryeinspektori Saimir Duçkollari, përpara, në ndenjësen e pasagjerit, Drejtuesi Fatos Xhani, ndërsa në ndenjëset e pasme, Kryeinspektorët Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj. Momenti më i paqartë i hetimit është pikërisht ky fillim i veprimeve të policisë. Sepse në të njëjtën sekondë del se është qëlluar edhe Saimir Duçkollari, edhe se kanë dalë të ikin turravrap dy shoqëruesit e Dajtit, edhe se askush nga policët nuk ka dyshuar se kolegu i tyre është goditur dhe po jepte shpirt, duke mos e marrë seriozisht situatën. Përkundër, kolegët ka të ngjarë të kenë menduar se ishte Duçkollari ai që qëlloi, për të frikësuar shënjestrën. Pra, pak a shumë skema është kjo. Në momentin që Saimir Duçkollari ka dalë nga makina duke drejtuar trupin, ka qenë shumë pranë dritares me xhama të zinj, nga pas të cilës, në ndenjëset e pasme të makinës “Tuareg”, gjendej Dritan Dajti. Ky, duket kishte bërë gati një pistoletë me mulli, “Smith & Wesson”, të prodhimit amerikan, që kryesisht kanë pesë fishekë, menjëherë sapo kishte vënë re makinën e dyshimtë të frenonte ngjitur. Dhe duket, me të parë që prej saj u lartua një njeri me maskë në kokë, nuk ka hezituar të qëllojë, pa e ulur xhamin e makinës. Plumbi i lëshuar nga rreth 1 metër afër, ka përshkuar xhamin duke e thërrmuar, por pa e devijuar trajektoren, duke shkuar drejtpërdrejt në shënjestrën e vet, në zemrën e Kryeinspektorit Saimir Duçkollari, që ka vdekur në mënyrë të menjëhershme.
Vrasja e Fatos Xhanit
Duket tersi që ka ndjekur deri afër fundit policët për t’u hedhur vetëm në fund te vrasësi Dritan Dajti, ka filluar pikërisht në momentin kur askush nga kolegët nuk ka dyshuar se Saimir Duçkollari ishte qëlluar. Një sekondë më pas duke parë se nga makina dolën dy të rinj që nisën të vraponin në drejtim të një hoteli shtatëkatësh të vendosur pranë rërës së plazhit, Drejtuesi Fatos Xhani u ka dhënë urdhër dy kolegëve që kishin dalë ndërkohë nga ndenjëset e pasme të makinës që t’i ndiqnin dhe t’i kapnin. Menjëherë dy oficerët, Kastriot Feskaj dhe Altin Dizdari kanë zbatuar urdhrin, duke vrapuar të ndjekin secili nga një ikës. Njëkohësisht, ende pa e kuptuar se kolegu Duçkollari ishte qëlluar, Drejtuesi Fatos Xhani, duke dyshuar se në makinën “Tuareg” mund të fshihej një i tretë, apo ky i tretë edhe mund të ishte qëlluar nga kolegu i tij Duçkollari, kalon i përkulur nga pas makinës “Ford”, vazhdon të ecë i kërrusur nga pas makinës “Tuareg”, futet në ngushticën mes saj dhe murit në anën e kundërt dhe zgjat kokën të shohë në kishte njeri brenda. Por xhami i zi nuk e ka lejuar. Në këtë moment, sërish duke përdorur pistoletën me mulli, sërish pa e ulur xhamin në anën tjetër, Dritan Dajti, ka qëlluar tri herë. Një nga plumbat e ka kapur Xhanin në qafë duke e rrëzuar përmbys në hapësirën e ngushtë mes makinës dhe murit. Vetëm në këtë kohë, pasi ka lënë në makinë pistoletën me mulli, brenda së cilës ekspertët gjetën vetëm një fishek të papërdorur dhe ka marrë në dorë pistoletën e dytë, një pesëmbëdhjetë-fishekëshe e tipit “Glock”, Dritan Dajti vendos të dalë. Dhe del pikërisht andej nga ishte rrëzuar e po jepte shpirt oficeri Fatos Xhani. Hap derën, e shkel në kurriz me këmbë, i lëshon edhe një plumb tjetër në shpinë, kur sheh se tjetri ishte ende gjallë, dhe nis të ecë me hapa të qetë edhe ai në drejtim të hotelit shtatëkatësh.  
Vrasja e Altin Dizdarit
Hetimi ka saktësuar se pikërisht në kohën që Dritan Dajti ka dalë nga makina, në vendngjarje është afruar edhe makina e dytë e Sektorit të Operacioneve Speciale. Por njëkohësisht pas krismave të para, në rrugicën ku po qëllohej me armë, krejt habitshëm janë shtuar kureshtarë, plazhistë, kryesisht nga Kosova, që vraponin nëpër këmbët e njerëzve të armatosur, të cilët qëllonin njëri-tjetrin. Kur sheh këtë rrëmujë, Dritan Dajti e fsheh pistoletën në çantën e vogël të brezit, të cilën në ato momente e ka mbajtur në duar. Duke u përpjekur të marrë pamjen e një qytetari të zakonshëm. Në të njëjtën kohë, rreth 15 metër më tej, Kryeinspektori Altin Dizdari e kishte mbërritur një prej të rinjve që vrapuan të iknin nga makina “Tuareg”. Ishte pikërisht 23-vjeçari Ledion Mara, nga Lushnja. Pasi e kishte rrëzuar përtokë duke e shtyrë fillimisht me forcë pas hekurave të portës hyrëse të një hoteli në të majtë të rrugicës, Dizdari e kishte vënë përfund këmbëve dhe po përpiqej ta lidhte. Një veprim që duhet ti ketë marrë sekonda të gjata dhe i kryer duke mos menduar në asnjë rast se shpatullat i kishte të zbuluara. Pa e ditur në asnjë moment se ndërkohë dy nga kolegët e vet ishin duke dhënë shpirt. Rreth 15 metër përpara tij, një sekondë më pas edhe oficeri tjetër Kastriot Feskaj, sapo kishte arritur dhe vënë nën këmbët e veta të dytin, që rezultoi të ishte Erges Xhoxhi, kunati i Dritan Dajtit. Por, teksa Dizdari ende nuk kishte mundur t’ia lidhte duart të riut që kishte zënë poshtë me peshën e trupit, ndien në kokë një goditje të fortë shurdhuese. Dritan Dajti, duke përfituar nga rrëmuja,  kishte mbërritur deri aty krejt i qetë. Me të parë njeriun me maskë që kishte vënë poshtë vetes mikun e vet, ai kishte nxjerrë armën nga çanta e vogël duke e zbrazur pa iu dridhur dora në kokën e oficerit Dizdari. Një predhë të vetme. Nga pas shpine.
Vrasja e Kastriot Feskajt
Fati i Kryeinspektorit Kastriot Feskaj është i ngjashëm si dy pika uji me atë të kolegut Altin Dizdari. Pasi kishte dalë nga pjesa e pasme e makinës “Ford”, pa mësuar asgjë se kolegu Duçkollari ishte qëlluar për vdekje menjëherë pas krismës së parë, oficeri Feskaj kishte zbatuar pa e bërë dysh urdhrin e eprorit të vet Fatos Xhani, për kapjen e dy të rinjve që fluturuan turravrap nga makina e dyshimtë. Dhe ndërsa Dizdari kishte pasur sukses ta mbërrinte njërin pa kaluar as 15 metra, Feskaj vrapon edhe më tepër, edhe më shpejt, pasi tjetri ishte edhe më larg. Rreth 30 metra pas startimit, oficeri Feskaj i hidhet sipër të riut që po vraponte duke e frenuar e zënë nën vete në të djathtë, pranë portës hyrëse të një kompleksi njëkatësh dhomash që lëshoheshin me qira. Pa e zgjatur, polici i Shtetit kishte nxjerrë prangat dhe kishte nisur ta prangoste të riun që më pas rezultoi të ishte Erges Xhaxhi, kunati i Dritan Dajtit. Në të njëjtën kohë, Dritan Dajti, pasi kishte qëlluar për vdekje në kokë oficerin Dizdari, po vazhdonte lëvizjen në drejtim të hotelit shtatëkatësh, ku më pas u vërtetua se banonte, duke u munduar të mos binte në sy. Duke ardhur në këtë drejtim ai ka parë një polic tjetër duke i prangosur kunatin. Pa hezituar, sërish duke iu afruar nga pas shpine, Dajti e ka qëlluar edhe oficerin Kastriot Feskaj në kokë duke e lënë të vdekur në vend.   
Vrasja e Marës dhe
bllokimi i armës së policit
Në këtë kohë grupi i dytë i policëve, mbërritur pak sekonda me vonesë kishte hyrë në veprim duke e bërë të vështirë rezistencën e Dajtit. Fillimisht grupit të dytë, mes rrëmujës së krijuar, mes njerëzve që vraponin e bërtisnin, kishte dalluar një të ri të dyshimtë që po vinte me vrap në drejtim të tyre. Ishte pikërisht 23-vjeçari Ledion Mara nga Lushnja, që pasi ishte liruar nga duart e pajeta të oficerit Altin Dizdari, ishte kthyer të vraponte në të kundërt me largimin e Dritan Dajtit, me drejtim për te makina “Tuareg”. Por kur nuk kishte bërë as dhjetë hapa, sapo ishte futur në kryqëzim, ai duket sheh policët dhe instinktivisht bën të kthehet 360 gradë andej nga erdhi. Në rrethana që nuk dihen, pikërisht në këtë kohë atë e ka përshkuar një plumb, që pas një rruge të gjatë në trup i ka mbetur në zemër, duke e lënë në vend të vdekur. Pasi rrëzohet Mara, një nga policët e grupit të dytë, i armatosur me një automatik “Kallashnikov” vë në shënjestër Dritan Dajtin që largohej në drejtim të hotelit shtatëkatësh dhe qëllon. Për fat të keq arma, pasi kryen qitjen e një plumbi të vetëm, që shkon huq, bllokohet në qitjen e plumbit të dytë. Sipas ekspertëve gëzhoja e plumbit të dytë kishte qenë më e gjerë, duke shkaktuar bllokimin e armës. Një sekondë më pas polici kishte vënë qytën e armës përtokë duke i ulur shulin me forcën e këmbës. Për fat të mirë arma zhbllokohet, ndërsa plumbi që e bllokoi, si dhe një i dytë, mbeten përtokë. Por polici nuk arrin ta ngrejë për së dyti armën e vet shkatërruese. Duket Dritan Dajti e kishte vënë re njeriun me “kallashnikov”. Mbase kishte ndjerë pranë veshit edhe ulërimën e plumbit të vetëm që ai qiti, mbase kishte vëzhguar me nge edhe bllokimin e armës dhe përpjekjet e policit për ta zhbllokuar. Sepse krejt qetësisht, kur polici është drejtuar, e ka qëlluar me dy plumba në gjoks, duke vëzhguar i kënaqur se si tjetri u rrëzua në shpinë, sikur ta kishin tërhequr fort nga pas. 
Dueli i fundit
Pas rrëzimit të policit me kallashnikov, Dritan Dajti e kishte rrugën të hapur të ikte. Të ikte në drejtim të plazhit, rëra dhe çadrat e të cilit ishin jo më shumë se 20 metër më tej. Pastaj të përzihej me turmën laramane të pushuesve dhe të zhdukej pa lënë gjurmë si gjithmonë. Por teksa ky mendim duhet ti ketë ardhur në kokë duke i gjallëruar shpresat, figura e një tjetër njeriu me armë,  i pozicionuar anash tij, pranë lokalit që gjendet në afërsi të hotelit shtatëkatësh, duhet ti ketë ndalur buzëqeshjen në cepin e buzës. Tjetri, i veshur civil dhe pa maskë, nuk ngjante aspak me policët e tjerë.
Pasi qëlloi në gjoks dhe rrëzoi edhe policin me “kallashnikov”, Dritan Dajtit i ishte dashur të përballej me një breshër plumbash që vinin nga kryqëzimi ku ishte pozicionuar grupi i dytë i policëve. Një situatë që e kishte detyruar të mos kursente plumbat duke u kundërpërgjigjur dhe një veprim që e kryente duke ecur mbrapsht. Pikërisht në këtë kohë, duke ecur mbrapsht, ai ishte përplasur me një adoleshent, nga ata të shumtët që vazhdonin të fluturonin nëpër këmbët e tij dhe të policëve. Duke kujtuar për një çast se edhe ai mund të ishte polic, Dajti e kishte kapur për fyti, duke e sjellë para vetes dhe vetëm në momentin e fundit nuk e kishte qëlluar. Pikërisht në çastin që e kishte shtyrë tej adoleshentin, Dajti kishte parë tytën e pistoletës drejtuar në gjoksin e tij. Njeriu i pozicionuar përballë sikur kishte mbirë nga dheu. Sipas hetimit, njeriu që bllokoi Dajtin të largohej mes plazhistëve ishte pikërisht vëzhguesi i së njëjtës skuadër të policisë, që kishte ndjekur gjithë skenën nga tavolina e radhës së dytë të lokalit, e pozicionuar në kënd, në një vend, nga ku vëzhguesi, nëse nuk do jetë bërë shumë kurioz nga krismat, të paktën ka parë, sikur të ishte në tribunën e stadiumit, ekzekutimin e kolegut të fundit, Kastriot Feskaj. Duke mos dyshuar në superioritetin e kolegëve, duket vëzhguesi kishte pritur aty i fshehur, që Dritan Dajtit ti viheshin prangat. Por me kalimin e sekondave ai ishte bërë dëshmitar i masakrës. Vetëm kur ka parë se Dajti ka nisur të lagrohet, vëzhguesi ka nxjerr armën e vet duke lëshuar disa predha në drejtim të Dajtit që nga tavolina ku ishte ulur. Plumbat e parë nuk e prekin Dajtin, duke e detyruar vëzhguesin të dalë nga veranda e lokalit dhe të pozicionohet në mes të rrugës, rreth 8-10 metër larg Dajtit. Një guxim i vlerësuar, krahasuar me atë të treguar nga pjesa tjetër e kolegëve, që qëllonin pothuaj kuturu nga cepi i kryqëzimit, ku ishin gozhduar. Gjithsesi ndërkohë, mes plumbave, ky grup kishte tërhequr nga mesi i rrugës policin që iu bllokua arma duke vënë re se ai fatmirësisht ishte gjallë për shkak se të dy plumbat e Dajtit i kishin ndeshur në veshjen antiplumb.
Të vënë përballë, super i kërkuari Dritan Dajti nga ana e detit dhe polici i vëzhgimit nga ana e ndërtesave të plazhit, nuk janë menduar dy herë të fusin në punë mjetet prej hekuri që kishin në duar. Sipas hetuesve që të dy kanë tërhequr këmbëzat e armëve në të njëjtën kohë, flakë për flakë. Por një sekondë më pas, vetëm Dritan Dajtit i janë errur sytë dhe është lëkundur. Pistoleta e tij pesëmbëdhjetëshe e tipit “Glock” e kishte lënë në baltë, pasi nuk kishte më fishekë. Me siguri Dritan Dajti duhet të jetë rrëzuar përtokë duke bërë luftë me veten se përse nuk e ndërroi krehrin e pistoletës, përse nuk vuri të dytin, që e kishte në çantën e brezit.
Menjëherë pasi kolegët mbërrijnë, polici që qëlloi Dajtin zhduket nga skena. Duke u parë nga shumëkush, sidomos nga plazhistët, të cilët duke mos e njohur Dajtin, menduan se ai që u largua, ishte vrasësi i një qytetari të zakonshëm. Policia lokale që mbërrin shumë shpejt në vendngjarje nis kërkimet në bazë të këtyre dhënave dhe shkon me armët ngrehur tek civili që tregonin plazhistët si atentator. Fatmirësisht, policët lokalë dhe vëzhguesi i futur mes pushuesve, merren vesh shpejt se janë të së njëjtës palë. Pikërisht ky largim i vënë re nga një numër i madh plazhistësh, sipas hetimit, ka mbajtur gjallë për një kohë edhe hipotezën për largimin e të katërtit të bandës së Dritan Dajtit.
Skena e fundit e ngjarjes ka qenë lidhja e duarve të Dritan Dajtit me një mjet rrethanor, që ishte kablloja i një frigoriferi të vjetër, nxjerrë jashtë një banese, në afërsi të vendit ku ai u rrëzua.

Prokuroria refuzon avokatin e Dajtit

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Krimeve të Rënda refuzon të legjitimojë Arben Qeleshin si avokat mbrojtës i Dritan Dajtit ndaj akuzës për vrasjen e katër oficerëve të policisë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se Krimet e Rënda kanë marrë në dorëzim prej gati një jave prokurën e familjarëve për avokatin Qeleshi, por kërkesa nuk është pranuar. Të hënën më 17 gusht, Dorela Dajti, bashkëshortja e personazhit të shumëkërkuar dorëzoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dokumentin e firmosur prej vetë asaj dhe familjarëve, të cilët kishin zgjedhur Arben Qeleshin si avokat. Ata kërkuan që ish-prokurori Qeleshi të legjitimohej nga Prokuroria si avokat i Dajtit në procesin hetimor ndaj tij, me akuzën e vrasjes së katër oficerëve të policisë gjatë masakrës së ndodhur më 7 gusht në Durrës. Por organi i akuzës për disa ditë nuk mori një vendim për këtë çështje, duke shqyrtuar rrethanat e dosjes hetimore. Ditën e djeshme, burime zyrtare të Prokurorisë, thanë se nuk do të pranojnë që Arben Qeleshi të përfaqësojë mbrojtjen ligjore të Dritan Dajtit. Sipas burimeve të Prokurorisë, avokati në fjalë ka marrë në mbrojtje më parë shtetasin Erges Xhoxhi, kunati i Dritan Dajtit, i cili akuzohet në dosjen e vrasjes së policëve se ka përkrahur autorin e krimit. Sipas Prokurorisë, çështja penale është e tillë, që i njëjti avokat nuk mund t’i përfaqësojë njëherësh dy të pandehurit, pasi kjo mund të dëmtojë hetimin e ngjarjes. Në këtë mënyrë, Prokuroria tha se nuk do të legjitimojë avokatin e zgjedhur nga familjarët e Dajtit, të cilëve u duhet tashmë të paraqesin në institucionin e akuzës, prokurën për një mbrojtës tjetër ligjor.
Dëshmia e Dajtit
Mungesa e një avokati mbrojtës duket se po vonon edhe seancën e marrzjes së dëshmisë së Dritan Dajtit nga Prokuroria. Sipas procedurave të hetimit, personit të arrestuar duhet t’i merren deklarime për versionin e tij mbi ngjarjen dhe shpjegime të tjera. Marrja në pyetje, sipas ligjit, duhet të bëhet në prani të avokatit mbrojtës. Për shkak të mungesës së tij, Dritan Dajti ende nuk është marrë në pyetje, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë nga ngjarja e rëndë, ku ai vrau katër oficerët e policisë që tentuan ta arrestojnë pranë pistës “Iliria” në Durrës. Shpjegimet e vetme të dhëna nga i shumëkërkuari pas arrestimit të tij, kanë qenë deklaratat e bëra në Gjykatën e Krimeve të Rënda gjatë vlerësimit të masës së sigurisë. Para togave të zeza, Dajti ka pretenduar se kishte qëlluar mbi policët pasi ata kishin tentuar ta vrasin. I shumëkërkuari 38-vjeçar gjatë paraqitjes në gjykatë për masën e sigurisë, u mbrojt nga një avokat i zgjedhur kryesisht. Prokuroria tentoi ta marrë në pyetje Dajtin në Spitalin e Burgjeve ku ai po mbahet, por i akuzuari refuzoi të merrej në pyetje në prani të avokatit të caktuar kryesisht.

Baruti në duart e Dajtit, vrau policët
TIRANE – Mbërrin në Prokurorinë e Krimeve të Rë-nda përgjigjja për ekspertizën shkencore mbi gjurmët e barutit (faktorët plotësues) të gjetura në trupin e Dritan Dajtit. Sipas burimeve zyrtare nga hetimi i çështjes, pak orë pas vrasjes së katër policëve, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feska e Sajmir Duçkollari, në momentin e arrestimit, Dajtit i është bërë këqyrje fizike, gjatë të cilës në rrobat dhe në duart e tij janë gjetur gjurmë baruti. Shenja të tilla mbeten zakonisht pasi personi qëllon me armë zjarri. Gjurmët e barutit janë dërguar për ekspertim shkencor, ç’ka ka verifikuar se lënda i përket mbushjeve të shtëna nga arma tip pistoletë “Zastava” 9mm, me të cilën i shumëkërkuari qëlloi efektivat e policisë. Një tjetër ekspertizë mësohet se është kërkuar të bëhet për saktësimin e armës që ekzekutoi po-licët, përmes ek-zaminimit shkencor të predh-ave dhe eleme-ntëve të tjerë të gjetur në vendin e ngjarjes. Sipas ekspertëve, në momentin e qi-tjes me armë, në duart e personit që mban atë si dhe në rroba, shpërndahet një sasi thërrmijash baruti që dalin nga tyta e pistoletës pas plasjes së fishekut. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Dritan Dajtit, të cilit i janë gjetur shenjat e barutit në rroba dhe në trup, menjëherë pas arrestimit nga forcat speciale pas mesditës së 7 gushtit në Durrës. Ekspertiza e barutit dhe faktorëve plotësues i është bashkëngjitur një sërë provash të tjera dhe dëshmish që fajësojnë 38-vjeçarin për ekzekutimin e katër efektivave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.  

Gruaja kërkoi avokat e takim për Dajtin
TIRANE – Gruaja e Dritan Dajtit iu drejtua Prokurorisë në mënyrë zyrtare pak ditë më parë, duke dorëzuar pranë grupit hetimor një shkresë zyrtare me prokurën e saj dhe të familjarëve të 38-vjeçarit, që kërkonin mbrojtjen e të arrestuarit nga avokati Arben Qeleshi. Në kërkesën e saj dorëzuar në Prokurori, e shoqja e të arrestuarit kërkoi gjithashtu që ajo dhe familjarët e saj të lejoheshin për të takuar 38-vjeçarin që ndodhet në gjendje të rëndë me dy plumba në trup në Spitalin e Burgjeve në Tiranë. Prokuroria refuzoi edhe kërkesën e gruas së Dajtit, por edhe të babait të tij Hasan Dajti, për miratimin e takimeve në Spitalin e Burgjeve. Familjarët janë ankuar se nuk lejohen t’i çojnë Dajtit as rroba dhe ushqim në qelinë ku mbahet.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›