Arrestohet falsifikatori i diplomave shkollore, ishte në kërkim prej një muaji
Tiranë – Operacioni i koduar “I diplomuari”, i organizuar nga specialistët e Antikorrupsionit pranë Policisë së Tiranës, u finalizua ditën e sotme me arrestimin e një falsifikatori të shpallur në kërkim. Krenar Beqaraj, 41 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë, i proceduar më parë për falsifikim dokumentesh, është arrestuar sot nga policia pasi Gjykata e Tiranës, më datë 17 korrik të këtij viti, ka caktuar në ngarkim të tij masën e sigurimit “arrest në burg”. Policia ishte vënë në ndjekje të 41-vjeçarit gjashtë muaj më parë dhe pas informacioneve të siguruara në rrugë operative specialistët kanë mundur të lokalizojnë vendndodhjen e tij. Gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në banesën e tij, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi dëshmish aftësie (patenta), si dhe një sërë dokumentesh shkollore, për të cilat dyshohen se janë të falsifikuara.
Të miturat largohen nga shtëpia, gjenden pas 4 ditësh
Elbasan - Dy motra, të cilat kishin rreth katër ditë që ishin larguar nga banesa e tyre, janë gjetur nga policia. Burime të policisë lokale bënë të ditur për gazetën “Albania” se motrat Rovena dhe Romina R., përkatësisht 17 dhe 13 vjeç, kanë qenë të shpallura në kërkim policor pasi janë larguar nga banesa në drejtim të paditur. Policia nuk bëri të ditura shkaqet dhe motivet e largimit të tyre nga banesa. Pasi u kryen veprimet procedurale këto shtetase iu dorëzuan familjarëve të tyre.
24 Gusht 2009