E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasja mes prefektit dhe këshillit të Qarkut, blindohet godina me policë

Prefekti i Fierit ka kërkuar ndërhyrjen e policisë për të shmangur ndonjë konfrontim me kryetarin e këshillit të Qarkut, mandati i të cilit do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit të Vlorës nëse është i vlefshëm apo jo

FIER Zyrat ku ndodhet këshilli i Qarkut të Fierit, ditën e djeshme kanë qenë të blinduara me punonjës policie. Korridori kryesor që lidh zyrat e administratës së këtij këshilli është mbushur në orët e mesditës me dhjetëra njerëz dhe punonjës administrate. Ndërsa forca policie kanë mbërritur me urgjencë brenda ambienteve të këshillit të Qarkut për të evituar çdo incident të mundshëm. Gjithçka ka ardhur pas kërkesës që i ka bërë prefekti i Qarkut Fier, Bujar Hasaj, kreut të këshillit të Qarkut Fier, Vangjel Ndreko, për të zbatuar një vendim të gjykatës që kishte të bënte me pezullimin e tij si kryetar qarku. Kreu i këshillit të Qarkut, Vangjel Ndreko, i zgjedhur në datën 21 shtator të këtij viti, e ka quajtur të padrejtë këtë vendim, ndërsa ka deklaruar se nuk do të tërhiqej nga posti i tij deri në përgjigjen e Gjykatë së Apelit Vlorë, ku dhe është ankimuar vendimi i Gjykatës së Shkallës së parë rrethit gjyqësor Fier. Ai i ka kërkuar policisë të largohej nga këshilli i Qarkut, ndërsa administrata të vijojë punën dhe të futej në brendësi të zyrave të tyre.

Më pas takimi ka vijuar me dyer të mbyllura brenda zyrës së kreut të këshillit të Qarkut Fier. Në takim kanë marrë pjesë prefekti i Qarkut, Bujar Hasaj, kreu i këshillit të Qarkut, Vangjel Ndreko, nënkryetari i këshillit të Qarkut, Agron Begaj, si dhe sekretari i këshillit të Qarkut, Gjergji Janku. Takimi me dyer të mbyllura ka vijuar për më shumë se dy orë.

Vonesa

Në fakt, në ditët e para të muajit tetor, administrata nuk është paguar për muajin shtator. Shkresat e nënshkruara nga kreu i Qarkut, i zgjedhur në datën 21 shtator në konstituimin e këtij këshilli, Vangjel Ndreko, për kalimin e fondit të pagave nuk janë kaluar nga dega e Thesarit Fier. Kjo pas depozitimit në këtë institucion të vendimit të Gjykatës së Shkallës së parë Fier, të datës 29 shtator, vendimi i cili ka pezulluar aktet administrative të vendimeve nr. 3, 4 dhe 5 të datës 21 shtator për konstituimin e këshillit të Qarkut. Pezullimi është sipas vendimit deri në zgjidhjen përfundimtare të padisë. Në këto kushte, dega e Thesarit nuk ka pranuar si firmë të kreut të Qarkut, firmën e zotit Ndreko Gjykata e Shkallës së parë të rrethit gjyqësor Fier ka vendosur pezullimin e aktit administrativ që ka të bëjë me zgjedhjen e kreut të këshillit të Qarkut Fier, zëvendëskryetarit si dhe kryesisë së këtij këshilli, me vendimin e saj nr.1939 datë 29.9.2011. Por nuk është shprehur në lidhje me konstituimin e këshillit të Qarkut.

Vendimi ka ardhur pas kërkesës së bërë nga ana e institucionit të Prefektit të Qarkut, kërkesë e cila ka pasur në themel të saj shfuqizimin e vendimeve nr.3, 4,dhe 5 të datës 21 shtator, për konstituimin e këshillit të Qarkut Fier. Prefekti ka kërkuar pavlefshmëri absolute të vendimeve të marra në përfundim të mbledhjes të datës 21 shtator. Duke pretenduar se janë tejkaluar kompetencat ligjore që kanë të bëjnë me ushtrimin e funksioneve që lidhen me komisionin e verifikimit të mandateve. Nga komisioni është nxjerrë një raport i dytë vlerësimi, duke deklaruar të parregullta mandatet e tre këshilltarëve në këshillin bashkiak Fier, veprime që sipas prefektit cenojnë veprimtarinë e autonominë e njësive të qeverisjes vendore. Do të jetë një tjetër datë, ajo e 14 tetorit, kur palët do të jenë sërish përballë tyre, tashmë në çështjen e objektit të gjykimit dhe jo të vlerësimit të masës së pezullimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›