I shoqi i preu këmbët me sharrë, mjekët shpëtojnë gruan shqiptare
GREQI - Gruaja shqiptare, të cilës bashkëshorti i preu këmbët dhe krahët del nga rreziku për jetën. Lajmi i mirë vjen nga mjekët e spitalit shtetëror të Athinës, të cilët pohuan se shëndeti i 28-vjeçares, nënë e dy fëmijëve të mitur, u mbajt nën kontroll, ndërsa pas ndërhyrjes kirurgjikale që zgjati rreth 10 orë iu mbyllën plagët e shkaktuara nga sharra elektrike, ndërsa 24 orët e ardhshme, sipas bluzave të bardha do të jenë vendimtare për të dëmtuarën. Burimet spitalore kanë pohuar për mediat greke se në operacionin e tejzgjatur kanë punuar një ekip i shtuar mjekësh, të cilët pas 10 orësh në sallën e kirurgjisë arritën të mbyllnin arteriet e prera në këmbët dhe duart e 28-vjeçares. Po kështu pohohet se edhe dy fëmijët e çiftit gjenden në spitalin shtetëror të Kallamatës, nën kujdesin e psikologëve dhe një përkthyesi, për shkak të gjendjes së shokut që kanë kaluar. Ata u dërguan në këtë spital pak minuta pas ngjarjes, në të cilën ishin dëshmitarë. Sipas mediave helene, gjithçka ka nisur dy muaj më parë. 39-vjeçari shqiptar, që është vetidentifikuar si I. Ramaj, lindur e banues në Librazhd, jetonte që nga muaji shkurt në qytetin e Verias të rajonit Makedonia të Greqisë. Një javë më parë ai ka udhëtuar në Shqipëri, ku kishte marrë fëmijët e tij, përkatësisht, tetë dhe dhjetëvjeçarë, të cilët jetonin me të afërmit e tij në Librazhd. Pas kësaj 39-vjeçari Ramaj, bashkë me dy fëmijët, ka mbërritur në Kallamatë, në shtëpinë me qira në rrugën “Navarinu” të lokalitetit Mesinia, ku jetonte prej dy muajsh e vetme e shoqja 28-vjeçare. Mesditën e së shtunës, në një moment irritimi, 39-vjeçari ka rrëmbyer nga garazhi i makinës pranë shtëpisë një sharrë elektrike me zinxhir, e ka vënë në prizë dhe i është vërsulur të shoqes duke i prerë të dyja këmbët dhe të dyja duart deri lartë në krahë. Por, si të mos mjaftohej me kaq, e ka marrë të shoqen dhe e ka futur në qilarin e katit të poshtëm të godinës së banimit. Menjëherë më pas ka marrë dy fëmijët, i ka futur në makinë dhe i është drejtuar bulevardit pranë detit, ku i është afruar një patrulle policore dhe e ka njoftuar për masakrimin e së shoqes. Më pas ai vetë i ka çuar policët tek qilari ku gjendej e shoqja, e cila menjëherë është dërguar në spitalin shtetëror të Kallamatës dhe më pas për shkak të gjendjes së rëndë është transportuar me helikopter në spitalin shtetëror KAT të Athinës. f.m