“Në burg i treti i drogës në autobusin e Athinës”
TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda dha dje masën e sigurisë “arrest me burg” për Florenc Zikollarin, të akuzuar për “trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Sipas prokurorisë, Zikollari është bashkëpunëtor i dy personave të kapur të enjten e javës që shkoi në doganën e Kakavijës, në autobusin ku u gjetën 55 kilogramë marijuanë. Zikollari u kap pak ditë më parë me një urdhër-arrest të Prokurorisë të Krimeve të Rënda. Pas bllokimit të lëndës narkotike në Kakavijë, në qese janë gjetur gjurmët e gishtave të Zikollarit. Menjëherë ndaj tij është nxjerrë urdhër-arresti, ndërsa dje ai u paraqit për masën e sigurisë në gjykatë. Pas njohjes me pretendimet e palëve gjykata vendosi lënien e tij në qeli deri në përfundim të hetimeve. Sasia e drogës, në trafikun e së cilës mendohet të jetë i përfshirë edhe Zikollari, u bllokua nga policia mesditën e së enjtes në pikëkalimin e Kakavijës. Një autobus i linjës Tiranë-Athinë, me katër pasagjerë tentoi kalimin nga Shqipëria në drejtim të territorit grek. Sasia e vogël e pasagjerëve krijoi dyshime te policia, e cila ushtroi kontroll të imtësishëm në gjithë autobusin. Gjatë kontrollit u zbuluan 55 pako me nga 1 kg lëndë narkotike të llojit marijuanë. Droga ishte fshehur në sistemin e ajrimit të autobusit. Pas evidentimit të këtij fakti policia arrestoi dy shoferët e autobusit, Ferdinand Nano dhe Ilia Goxhaj. Pak ditë më vonë hetimet e mëtejshme zbuluan se ato i përkisnin Zikollarit. ar.ba