E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderi, tani administrata me numra “Eagle Mobile”

 

Fabiola Çela

Punonjësit e administratës shtetërore do të pajisen me numra të kompanisë celulare Eagle Mobile. Kompania Eagle Mobile ka fituar tenderin për pajisjen me numra të punonjësve të administratës shtetërore. Marrëveshja u nënshkrua dje nga kreu i Ministrisë së Telekomunikacionit Sokol Olldashi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Kompanisë Eagle Mobile, Ali Taskin. Në bazë të kësaj marrëveshje, rreth 70 mijë punonjës do të përfitojnë nga tarifat dhe shërbimet e Eagle Mobile.
Marrëveshja
Kompania Eagle Mobile do të ofrojë shërbimet e telefonisë celulare për 8 dikastere ministrore. Rreth 70 000 punonjës të administratës publike do të përfitojnë nga tarifat dhe shërbimet e Eagle Mobile. “Kemi negociuar gjatë dhe arritëm në rezultatin konkret. Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë nga këto tarifa. Kjo do të jetë me përfitim të dyfishtë, së pari do të ulë shpenzimet operative për atë kontingjent nëpunësish, të cilëve shteti i paguan pjesërisht apo plotësisht shpenzimet telefonike  dhe do të jetë dhe në përfitim të vetë zyrtarëve që do të marrin ketë vendim, se do të paguajnë shumë më pak dhe në ketë mënyrë shërbimi bëhet më i lirë”, tha ministri Sokol Olldashi. Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin u shpreh se “Jemi të gëzuar që Eagle Mobile në një kohë kaq të shkurtër tregoi potencialet e saj. Ne do të ofrojmë shërbimet tona jo vetëm për 70 mijë punonjës të administratës publike por edhe për familjarët e tyre. Njëherazi, edhe institucionet e tjera publike që dëshirojnë ta kenë këtë tarifë dhe mundësi, janë të mirëpritur”. Eagle Mobile është kompania më e re e tregut të telefonisë celulare në vend por brenda një kohe relativisht të shkurtër, ajo u përhap në të gjithë vendin. “Tarifa e re e prezantuar për institucionet publike, u jep mundësinë punonjësve të flasin me tarifa ekonomike jo vetëm brenda institucioneve të tyre, por edhe me dikastere të tjerë që janë pjesë e tarifës. Për herë të parë në Shqipëri, Eagle Mobile ndërthur në një grup dhe tarifë të veçantë numrat me parapagesë dhe ata me kontratë”, tha Taskin. Kompania Eagle Mobile doli fituese e procedurës konkurruese të zhvilluar mes tre kompanive celulare që operojnë në vendin tonë, për ofrimin e këtij shërbimi për punonjësit e administratës publike. Pas zhvillimit të negociatave me kompaninë fituese Eagle Mobile, MPPTT hartoi Marrëveshjen për ofrimin e shërbimit telefonik. Sipas kësaj marrëveshjeje, e gjithë administrata do konsiderohet si një grup dhe tarifat brenda grupit do jenë 5 lekë/min.

Interneti në shkolla

Eagle Mobile ka mbështetur kompaninë Albtelecom në projektin e internetit në shkolla. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të kësaj kompanie, Eagle Mobile do të çojë internetin në 1600 shkolla në të gjithë vendin. Eagle Mobile është kompania më e re e tregut të telefonisë celulare në vend por brenda një kohe relativisht të shkurtër, ajo u përhap në të gjithë vendin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›