E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oficeri në gjyqin e drogës, pas kafes me “trafikantin”

 

Trazhgim Sokolaj

Një efektiv i policisë shkencore merret dëshmitar nga Prokuroria në dosjen e trafikut të drogës kundër të arrestuarve Pëllumb Shkrela dhe Eduart Kane. Dy të akuzuarit për trafik droge tentuan të kalojnë drejt Greqisë 50 kilogramë marijuanë të fshehur në maunën MAN me targa FR 7934 C. Në momentin e zbulimit të drogës u arrestua në flagrancë Eduart Kane, ndërsa i implikuari tjetër Pëllumb Shkrela, ra në pranga disa ditë më vonë, pasi erdhi nga Fieri në Tiranë dhe po interesohej pranë policisë shkencore në lidhje me ekspertizën e marijuanës që ishte bllokuar në maunën e mikut të tij, Eduart Kane. Në qeset e drogës së bllokuar Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte gjetur tri palë shenja gishtash, që i përkisnin Eduart Kanes dhe disa personave të tjerë. Interesimi i Pëllumb Shkrelës për ekspertizën e drogës te policia shkencore në Tiranë është bërë shkak për fillimin e ndjekjes ndaj të dyshuarit, i cili u ndalua të premten, ndërsa krahasimi i gjurmëve të tij me shenjat në qeset e drogës rezultoi pozitiv. Para se të arrestohej, Pëllumb Shkrela ishte interesuar te policia shkencore, madje kishte arritur të takonte një prej punonjësve të këtij institucioni me të cilin kishte biseduar më tepër se një orë. Mbajtja e të dyshuarit në vëzhgim është bërë shkak për zbulimin e punonjësit të policisë shkencore që kishte takuar të ardhurin nga Fieri. Nisur nga këto rrethana, Prokuroria ka urdhëruar shoqërimin e efektivit të policisë shkencore. Ai është marrë në pyetje për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e takimit me të arrestuarin. Mësohet se oficeri ka pohuar se kishte njohje me të arrestuarin Pëllumb Shkrela, të cilin e kishte takuar pas kërkesës së këtij të fundit.
Arresti në gjykatë
Në bazë të kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi dje seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Pëllumb Shkrelës, i arrestuari i dytë për 50 kile marijuanë që u kapën në Kakavijë të Gjirokastrës. Në seancën e djeshme, gjykata ka vendosur masën “arrest me burg” ndaj Pëllumb Shkrelës, duke e akuzuar si të pandehur në dosje bashkë me Eduart Kanen, i arrestuar në flagrancë më 29 mars 2009, pasi në makinë iu gjet sasia e lëndës narkotike. Në seancën e djeshme, duke argumentuar kërkesën për masën “burg pa afat”, prokuroria tha se Pëllumb Shkrela ka ardhur të premten më 10 prill nga Fieri në Tiranë për t’u interesuar në lidhje me arrestimin e mikut të tij, Eduart Kane. Sipas prokurorisë, Shkrela kishte takuar një punonjës të policisë shkencore me të cilin kishte diskutuar në lidhje me ekspertimin e drogës që ishte kapur në makinën e Eduart Kanes më 29 mars 2009, gjatë aksionit të policisë të koduar me emrin “Rrëshqitja”. Në seancën e djeshme, prokuroria i komunikoi gjykatës se në listën e dëshmitarëve që do të pyeten gjatë hetimit dhe gjykimit të çështjes, është edhe oficeri i policisë shkencore që kishte takuar Pëllumb Shkrelën, pak çaste para se ai të arrestohej në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›