E Shtunë, 31 Tetor 2026

I shpëtoi Interpolit në Spanjë, prangoset në Laç

Edhe pse njihet si një nga
personat më të rrezikshëm
të krimit shqiptar, duke i
shpëtuar disa herë drejtësisë
së vendit tonë dhe asaj spanjolle,
mëngjesin e djeshëm, një nga
më të kërkuarit e Interpolit, Astrit
Bushi, ra më në fund në prangat e
RENEA-s gjatë një operacioni spektakolar
që zgjati vetëm 3 minuta. I
ndjekur në të gjithë botën nga policia
spanjolle dhe ajo shqiptare, "i
forti" i Laçit duket se si strehë të
tijën ka gjetur pikërisht qytetin e
vogël të Laçit, ku u lind dhe njëkohësisht
nisi karrierën e bujshme
kriminale. Nëpërmjet rrugëve të
cilat ende nuk bëhen të ditura për
arsye hetimi, ai ka hyrë në vendin
tonë tri ditë më parë. Po përpara 3
ditësh në Tiranë zbarkuan tre
oficerë të policisë spanjolle, të cilët
u sollën kolegëve të tyre informacion
të detajuar për njeriun që në
vendin e tyre konsiderohet si "VIP"
i kriminalitetit, pas grabitjes dhe
plagosjes së një biznesmeni të famshëm,
si dhe arratisjes spektakolare
nga burgu. Lajmi i arrestimit të 31-
vjeçarit Bushi është konfirmuar jo
pa të drejtë me ngazëllim nga burimet
zyrtare të Drejtorisë së
Përgjithshme të Policisë. Pas rrëmbimit,
plagosjes dhe grabitjes së
multi milionerit Jose Luis
Moreno,"mret" i teatrit dhe spektaklit
televiziv, emri i Bushit u bë
epiqendra e medias spanjolle.
Përveç shumë akuzave për krime
nga më të ndryshmet në vendin
tonë, është përgjegjës edhe për
vrasjen e Altin Bajlozit, pjesëtar i
Forcave Speciale, më 8 mars të vitit
2001, në qytetin e Laçit.
Operacioni "Arbusto"
Pas informacioneve të sigurta të
grumbulluara nga shërbimet
sekrete të dy vendeve, Spanjë dhe
Shqipëri, për gjithë natën, duke
gdhirë dita e djeshme, forca të
shumta speciale të repartit RENEA,
në konspiracion të plotë kanë rrethuar
lagjen ku ndodhej banesa në
të cilën strehohej Astrit Bushi.
Forcat policore të Komisariatit të
Kurbinit kanë qenë në gatishmëri
të plotë për operacionin e pagëzuar
me emrin e koduar "Arbusto", por
pa pasur asnjë informacion të detajuar
dhe pa u lejuar që të futen
në veprim. Kjo për të shmangur
ndonjë dekonspirim të mundshëm.
Sipas burimeve, Bushi, pasi
ka hyrë në vendin tonë, ka shkuar
në shtëpinë e tij, në qytetin e Laçit,
ku edhe ka nisur riorganizimin e
pjesëtarëve të organizatës së tij, të
cilët gjenden aktualisht këtu. Efektivat
e repartit RENEA, në bashkëpunim
edhe me tre oficerët e
policisë spanjolle, kanë konceptuar
një plan të detajuar për kapjen
pa pasoja, duke pasur parasysh
edhe rrezikshmërinë e lartë të tij.
Kështu ai është mbajtur nën vëzhgim
gjatë 48 orëve të fundit nga
oficerë të RENEA-as, të veshur
civilë dhe që qarkullonin po me
mjete civile. Fillimisht është vendosur
që arrestimi të bëhej pasditen e
të shtunës, por operacioni është anuluar
pasi Astrit Bushi, i cili lëvizte
me makina të shpejta luksoze, në
momentin e ndërhyrjes ka ndërruar
mjet dhe është larguar me shpejtësi,
edhe pse nuk e dinte se ishte
nën vëzhgim. Kështu, pasi janë siguruar
se 31-vjeçari natën e të shtunës
është futur në shtëpinë e tij,
u vendos që operacioni të kryhej në
orët e para të mëngjesit të ditës së
diel. Ka qenë ora 04:25 kur djemtë e
RENEA-s, pasi kanë kaluar muret e
larta të banesës private të Bushit,
për pak sekonda kanë "mbirë" nga
dera dhe dritaret brenda dhomës
ku ai po flinte. Sipas burimeve
brenda pjesëtarëve që morën pjesë
në aksion, Bushi, edhe pse është
kapur në befasi, është përpjekur të
largohet duke tentuar të hidhet
nga një vrimë e krijuar enkas, e cila
e nxirrte në oborrin e fqinjit. Por tentativa
e tij ka dështuar, sepse brenda
pak sekondave ai e ka gjetur veten
të rrethuar nga policë shtatlartë,
të maskuar dhe të armatosur
rëndë, të cilët i kanë hedhur prangat
dhe e kanë transportuar urgjen-
tisht drejt Tiranës. Operacioni spektakolar
që zgjati vetëm 3 minuta
dhe pa asnjë pasojë, po të kihet
parasysh se kush është Astrit
Bushi, ka habitur dhe entuziazmuar
për sa i përket shkallës së
lartë të profesionalizmit edhe
oficerët e policisë spanjolle, që janë
ende në Tiranë. Pas kontrolleve në
shtëpi, shtetasit Astrit Bushi iu
gjetën dhe sekuestruan një pistoletë
model çek, "LUCER", kalibër
9mm, me një krehër me 14 fishekë,
si dhe materiale e sende të çmuara
të vjedhura gjatë kohës së qëndrimit
të tij në Spanjë. Nuk dihen arsyet
se përse këtë herë Bushi rrezikoi aq
shumë sa të kthehej në Shqipëri dhe
të strehohej në qytetin e tij të vogël,
si dhe të akomodohej pikërisht në
shtëpinë e tij.
Vrasja e Altin Balozit
Grupi kriminal i Astrit Bushit është
i njohur prej shumë vitesh jo
vetëm në zonën e Kurbinit, por edhe
në mjaft vende të Evropës. Në qytetin
e Laçit, ai së bashku me vëllanë
dhe shokë të tjerë, për një kohë të
gjatë kanë bërë "ligjin", duke sfiduar
hapur policinë. Por në 28 tetor të
vitit 2000, duke terrorizuar qytetin,
ata jo vetëm që nuk kanë zbatuar
urdhrin e një grupi të Forcave të
Ndërhyrjes së Shpejtë për të ndaluar
mjetin, por edhe kanë nisur të
qëllojnë mbi ata. Pas përleshjes,
mbeti i vdekur vëllai i Astritit, Agron
Bushi. Pas ngjarjes, po më datën 28
tetor të vitit 2000, Astrit Bushi është
arrestuar në flagrancë nga forcat e
policisë dhe Prokuroria e Kurbinit filloi
çështjen penale në ngarkim të tij.
Por Gjykata e Shkallës së Parë, e drejtuar
nga gjyqtari Ded Miri, me vendimin
e saj nr. 151, më 30 tetor të atij
viti, e la të lirë. Pa kaluar shumë kohë,
ai i shpall luftë policisë. Vetëm katër
muaj më vonë, nis hakmarrjen. Më
8 mars të vitit 2001 ekzekuton një
prej pjesëtarëve në aksion dhe hap
fjalë se do t‘i vrasë të gjithë policët
që kanë qëlluar natën kur iu vra vëllai.
Në atë kohë alarmi për vrasjen e
efektivëve të tjerë të FNSH-së së
Kurbinit nga Bushi arriti deri te
krerët më të lartë të Ministrisë së
Rendit. Shumë prej policëve që
kishin marrë pjesë në aksion, për
arsye sigurie u larguan nga Laçi dhe
u transferuan në reparte homologe
në rrethe të tjera.
Arrestimi në Spanjë
Pas vrasjes së bujshme të efektivit
të policisë Altin Balozi, Bushi
pasi e pa veten si personi më i
kërkuar në vend, u arratis drejt
Spanjës. Për pesë vjet rresht policia
nuk e kapi dot, pavarësisht se
një herë e kishin arrestuar dhe e
kishte lënë të lirë gjykata, sepse
kishte arritur që nëpërmjet falsifikimeve
të ndërronte në mënyrë
perfekte identitetet, duke ndryshuar
gjeneralitetet edhe në regjistrat
e gjendjes civile. Por në muajin
dhjetor të vitit 2006, Interpol-Tirana
është njoftuar nga homologët
spanjollë se kishin prangosur Astrit
Bushin. Sipas autoriteteve policore
spanjolle, 28-vjeçari (mosha në atë
kohë), u arrestua në qytetin Simas
Kleistas. Ai përdorte një sërë dokumentesh
të falsifikuara, me anë të
të cilave arrinte të fshihej më së
miri nga gjurmimi. Policia spanjolle
tha në atë kohë menjëherë pas
arrestimit se ka prova që Astrit
Bushi ka kryer krime edhe në
vende të tjera të Evropës dhe
veçanërisht në shtetin e Francës.
Gjithashtu, si mjeshtër i maskimit
ai ka arritur t‘u shpëtojë agjentëve
të INTERPOLI-it, duke lëvizur
shpesh nga njëri shtet në tjetrin.

Arratisja spektakolare e Astrit
Bushit nga burgu në Spanjë

I kërkuar në Shqipëri për vrasjen e një polici dhe i arrestuar në
Spanjë për rrëmbimin dhe plagosjen e një biznesmeni të njohur,
Astrit Bushi, i njohur dhe si kreu i një organizate të madhe
kriminale që vepron në shtetet kryesore të Evropës, ka mundur
të arratiset nga burgjet spanjolle, duke shfrytëzuar mjeshtërisht
një gabim të autoriteteve. Media spanjolle në atë kohë i bëri jehonë
të madhe arratisjes së shqiptarit. Për shumë kohë ai dhe
historia e tij përbënin lajm kryesor në mediat e shkruara dhe vizive
në mbretërinë iberike, duke u etiketuar gjithmonë si "kriminel
shumë i rrezikshëm". Bushi konsiderohet si drejtuesi i një rrjeti
kriminal, që akuzohet për disa grabitje dhe rrëmbime personash.
Ai është liruar më 4 prill nga policia, për mungesë provash, lidhur
me rrëmbimin e biznesmenit Hose Luis Moreno, në Madrid. Mediat
thanë se Bushi nuk ishte mbajtur nën vëzhgim dhe ai është
larguar më këmbë nga një zyrë policie në kryeqytetin spanjoll.
"Astrit Bushi, kreu i bandës së shqiptarëve, që sulmuan shtëpinë
e Jose Luis Moreno në dhjetor të vitit 2007, duke e lënë atë të plagosur,
u lirua prej një gabimi dhe neglizhencës së dyshimtë të
autoriteteve", ishte kryefjala e mediave. Policia tha se ai është
larguar më këmbë nga ambientet e paraburgimit dhe askush nuk
është përpjekur ta ndalojë. Sipas medias, ai është larguar nga
Gjykata e Alcobendas, ku kishte qenë i transferuar nga burgu,
dhe po qëndronte në paraburgim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›