E Diel, 1 Nëntor 2026

"Nuk jam në PD, se nuk pres të mendojë Berisha për mua"

Ish-kryeministri Meksi, i cili kryeson listën në Tiranë për grupimin "Poli i Lirisë", sqaron objektivat kryesorë të kësaj force dhe rëndësinë e këtij poli në politikë.

Zoti Meksi, me çfarë objektivash hyn në garën elektorale grupimi politik "Poli i Lirisë"?

Objektivi kryesor në planin politik të "Polit të Lirisë" është të shkëpusë Shqipërinë nga ky udhëkryq që ndodhet mes tranzicionit dhe integrimit në Evropë. Opinioni ynë është se për këtë duhet të bëhen ndryshime rrënjësore, të cilat konsistojnë në një kthim real në reformat e ekonomisë së tregut, në reformat për një shtet të së drejtës dhe respektim të të drejtave të njeriut. Ne mendojmë se këto nuk realizohen ashtu siç duhet dhe kjo është një arsye që ne kërkojmë të jemi të pranishëm në Parlamentin e ardhshëm, për të realizuar objektivat tona, të cilat në planin ekonomik janë heqja e barrierave për biznesin që janë shumëplanësh, heqja e monopoleve, formalizimi i ekonomisë, një amnisti fiskale, pagimi i tatimeve dhe taksave në përputhje me strukturat përgjithësisht të pranuara nga BE në të cilën ne aderojmë, përcaktimi i saktë i kufizimit nën të cilin nuk paguhen tatime mbi të ardhurat personale, që është për ne 150 lekë të vjetra për frymë dhe jo apriori. Caktimi i pensioneve minimale dhe pensioneve maksimale, jo menjëhere, por në përputhje me kontributet që japin njerëzit. Jo më lojë politike me kontributet sa herë që i bëhen premtime një grupi apo një grupi tjetër, pasi kjo pakëson kontributet që individët japin, sepse do të thotë se nesër, pensionet do të jenë më të ulëta, të cilat ne mendojmë që në fund të katërvjeçarit të jenë 60-70% të pagës neto si kudo në botë. Nga ana tjetër jemi që ndihma sociale dhe pensionet e pjesshme të mos jenë më pak se ajo që quhet minimumi jetësor. Kemi një program për ndërtimin e infrastrukturës, që janë rrugët e telekomunikacioni dhe ujësjellës kanalizime, që janë infrastrukturë e domosdoshme për një funksionim të rregullt të shoqërisë, ku do të ketë plane të detajuara për përfundimin e Korridorit nga Hani i Hotit deri në Vlorë, superstradë me katër kalime nga Morina deri në Vorë, përfundimin e rrugës së Arbërit, që ka të njëjtën rëndësi në planin kombëtar si edhe rruga e Kukësit, sepse lidh Maqedoninë, ku shqiptarët në kushte janë më të vështira sesa shqiptarët në Kosovë, në kuptimin politik. Ndërtimin e rrugës së re Përrenjas-Korçë, përfundimin e rrugës Levan-Tepelenë, bërjen e rrugës Tiranë-Elbasan dhe bërjen e Unazës së Madhe në Tiranë. Do të ketë një plan të detajuar për ujësjellësit. Për sa i përket energjisë, mendojmë se është urgjente moszvarritja më e interkonjuksionit Elbasan-Podgoricë, e cila do të mundësonte me koston e ditës marrjen e energjisë dhe jo me kontrata tremujore, të cilat sheshit kanë qenë korruptive. Sa i përket arsimit dhe shëndetësisë, ne jemi për dyfishimin e buxhetit për secilin nga këta sektorë. Pra është një plan i detajuar, të cilin ne jemi munduar ta bëjmë publik edhe nëpërmjet mediave. Bujqësia është prioritet i ynë, mjedisi, integrimi gjinor, turizmi, çështja e pronave dhe ish të përndjekurit politikë.

Konkurrimi i dy koalicioneve në të djathtë e dobëson apo e forcon rezultatin e final të këtij kampi?

Kjo është një parullë dashakeqëse e nxjerrë nga drejtuesit e tjerë të partisë së djathtë, e cila nuk e imagjinon dot jashtë skemës së pseudopluralizmit të Ramizit që të ketë njerëz që mendojnë ndryshe. Përderisa ka njerëz që mendojnë ndryshe nuk kanë pse përfshihen në një parti ku është autoritare dhe s‘ka të drejtë të mendojë askush dhe shkojë me shpresën se mbase mendon lideri. Ne marrim ato vota të cilat nuk ju jepen atyre që nuk e gjejnë veten aty dhe janë kundër tyre. Kjo nuk prish asgjë, është që këto vota të mos shkojnë majtas dhe të mos rrisin përqindjen e kampit tjetër. Pra kjo është thjesht një demagogji e kampit tjetër për të përfituar në ato krahina me metodën e përçarjes dhe të shpifjes.

Nëse pas zgjedhjeve, Kryeministri Berisha do të kërkojë votën e grupimit tuaj për të formuar qeverinë, a do të vendosni kushte? Pra, do të futeni në një qeveri me Berishën Kryeministër apo do kërkoni një tjetër person në krye të ekzekutivit?

Pas zgjedhjeve është ish-kryeministri Berisha dhe pas zgjedhjeve do të shohim se çfarë mund të bëhet. Ne nuk hyjmë në asnjë qeveri, e cila nuk i realizon kërkesat bazë që ka programi ynë, sepse mendojmë se janë kërkesat demokratike që të çojnë në Evropë. Në planin e pronave, në planin e të përndjekurve, në planin e integrimit, pajisjen e shtetasve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, sepse ne mendojmë se do të mund të bëjmë që të lëvizin pa viza në zonën evropiane brenda vitit 2010, sepse është shtyrë duke mos dhënë karta identiteti, që të kishte akrobaci në votime.

Ju z. Meksi jeni një person me përvojë të gjatë në skenën politike. A keni një pritshmëri tuajën për rezultatin e zgjedhjeve në kryeqytet, pra si do të ndahen 32 mandatet mes kampeve?

Nuk kam parashikim dhe nuk ka nevojë të bëhen parashikime, jam i sigurt që "Poli i Lirisë" do të afirmohet bindshëm në këto zgjedhje me shumë mandate në zonën e Tiranës, por edhe në qarqe të tjera.

Aleksandër Meksi

- Diplomohet në Inxhinieri Ndërtimi në Universitetin e Tiranës,

në vitin 1960

- Ka punuar në Institutin Arkeologjik, në Institutin e Monumenteve të Kulturës, Tiranë, si dhe në kantierin e ndërtimit të HEC Shkopetit

- Ka një sërë punimesh shkencore, kryesisht në fushën e arkitekturës

- Ka qenë Kryeministër i vendit për periudhën 1992-1996



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›