LSI - Poli i Lirisë, rëndësia për kryeqytetin
Pjesë e garës elektorale të kryeqytetit janë dhe dy parti, të cilësuara të vogla, LSI-ja dhe grupimi "Poli i Lirisë", të cilat priten të kenë një rol të madh në vendimmarrjen e PD-së apo PS-së në fund të procesit zgjedhor. Këto dy parti priten të jenë gjilpëra e peshores në krijimin e qeverisë së re, LSI-ja për socialistët dhe "Poli i Lirisë" për demokratët, nëse dy partitë e mëdha nuk arrijnë të marrin numrin e duhur të deputetëve. Si "Poli i Lirisë" edhe LSI-ja kanë pretendimet e tyre për kryeqytetin, duke synuar të marrin një numër të konsiderueshëm deputetësh. LSI-ja e vlerëson si bastionin e saj kryeqytetin, ndaj synon minimumin e deputetëve, i cili, sipas tyre shkon deri në 10. Po kështu edhe "Poli i Lirisë" ka të njëjtin pretendim për sa i takon bastionit të tij elektoral, por ata shprehen më të rezervuar për sa i përket numrit të mandateve, duke lënë që kjo enigmë të zgjidhet pas 28 qershorit. Sistemi i ri elektoral e bën mjaft të brishtë krijimin e qeverisë, qoftë për PD-në ose për PS-në, kjo varet se cila do t‘i fitojë zgjedhjet, sepse për një deputet mund të rrezikohet krijimi i qeverisë nëse partitë e vogla nuk pranojnë të bëjnë koalicion me njërën prej dy partive të mëdha. Por sesa do të jetë pesha reale e LSI-së dhe "Polit të Lirisë" në zgjedhjet e 28 qershorit, kjo mbetet për t‘u parë pas zgjedhjeve, gjithashtu mbeten për t‘u parë edhe aleancat që do të krijohen.