Opozitarët nuk u brengosën për Gërdecin, fërkuan duart
Deputetët tanë nuk debatojnë për popullin, votat e të cilëve i kanë dërguar në ato poste, por kacafyten me njëri-tjetrin, më zi se armiqtë më të përbetuar. Ka raste kur parlamentarët diskutojnë, madje edhe nxjerrin ligje në favorin e tyre (!), si bie fjala, Kuvendi i Kosovës, ka hartuar një ligj për pensioinimin e deputetëve, në rast se ata nuk do të zgjidhen sërish deputetë.
Në këtë ligj, mosha e deputetit, nuk merret në konsideratë. Deputeti që nuk do jetë fitues, automatikisht do të pensionohet, kurse të ardhurat do t’i ketë të garantuara. Çfarë hipokrizie!
Vijmë tek Parlamenti i Shqipërisë. Aty, pothuajse asnjëherë, nuk diskutohet pa hipokrizi. Opozita gjuan vetëm njollat e zeza.
Po nisemi nga tragjedia e Gërdecit. Opozitarët nuk u brengosën fare me atë tragjedi. Ata mjeranë dolën para kamerave televizive dhe fërkonin duart, se më në fund, gjetën një arsye për ta sulmuar mazhorancën për shpërthimin e municionit në Gërdec. “Qeveria dhe vetëm qeveria është fajtore”, - thonin ata.
Deputetët nuk u kënaqen vetëm me kaq. Ata vajtën edhe tek banorët e Gërdecit. Aty, në vend që t’u shprehnin ngushllime atyre fatkëqinjëve, ua tregonin adresën se kush e bëri këtë (demek, qeveria dhe Kryeministri Berisha).
Unë, si njeri goxha i moshuar, nuk kam parë ndonjëherë që, në rastet e fatkeqësive, të dëmtuarëve, t’u thuhet kush ua bëri dëmin. Përkundrazi, me fjalë të buta, të qeta, u shprehet ngushëllimi dhe, patjetër, duhet dhënë kurajo, që sa më lehtë ta përballojnë atë që u ka ndodhur. Në Gërdec, të dëmtuarit u nxitën edhe më shumë.