Asetet kriminale ndahen nga pastrimi i parave
Sektori kundër pastrimit të parave nuk do të merret më me identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale, pasi kjo do i kalojë për veprim Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar. Ndërsa sektori i pastrimit të parave do të hetojë vetëm rastet kur ka dyshime, kryesisht mbi transfertat bankare, që nuk janë të justifikuara nga persona të ndryshëm. Ky është projekt i departamentit të hetimit të krimit, pasi grupet kriminale që u sekuestrohen asetet hetohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Burimet policore shpjegojnë se ky projekt po diskutohet dhe ende nuk ka marrë një miratim përfundimtar, edhe për shkak të kostos së lartë. Nga ana tjetër, sektori kundër pastrimit të parave po ngre seksionet e veta në çdo drejtori qarku, pavarësisht se kërkohet mbështetje financiere dhe logjistike.
Sipas të dhënave, asetet kriminale, në të shumtën e rasteve sekuestrohen pas identifikimit nga ana e Prokurorisë për Krimet e Rënda, e cila godet grupe të ndryshme të organizuar. Ndërkaq, veprimet e tjera kryhen nga sektori kundër pastrimit të parave që ndodhet në Drejtorinë Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar. Kjo e fundit ka lidhje direkt me Task Forcën në Prokurorinë e Tiranës dhe rrallëherë e lidh detyra me Krimet e Rënda. Kështu, krerët e hetimit kanë propozuar që asetet kriminale të kalojnë për procedurë në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar. Kjo zyrë do të ketë për qëllim vënien në zbatim të ligjit “Antimafie” për hetimin e pasurive të personave që dyshohen për shtatë vepra të rënda penale, të cilat kanë të bëjnë me organizatat kriminale, trafikun e drogës, qenieve njerëzore dhe krimet që lidhen me terrorizmin. Krijimi i një strukture më vete, e cila ka për objekt të punës së saj vënien në zbatim të ligjit “Antimafie”, sipas policisë është bërë me qëllim për rritjen e bashkëpunimit me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në identifikimin e pasurive të vëna nga krimi dhe referimin e këtyre rasteve në organin e akuzës për ndjekje penale. Ndërsa sektori i pastrimit të parave ka nisur tashmë punën në bashkëpunim me prokurorinë dhe një nga hapat e parë të ndërmarrë ka qenë krijimi i infrastrukturës së nevojshme për ndërlidhje me organet e tatimeve, Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, hipotekat, bankat dhe një sërë institucionesh të tjera që qarkullojnë të dhëna mbi bizneset. Qëllimi i zyrës, sipas burimeve të policisë, është krijimi i një databaze të plotë mbi bizneset në Shqipëri, në mënyrë që për çdo rast të dyshuar të disponohen informacionet mbi burimet e financimit dhe objektin e veprimtarisë për subjektet që hetohen.
#