I tradhtuar nga Moratti

Rafael Benitez u largua nga Inter në dhjetor të vitit të kaluar, por duket se kjo i ka lënë një shije të hidhur. Strategu spanjoll prej asaj kohe asnjëherë nuk e ka lënë t’i ikë rasti për të shprehur pakënaqësitë e tij për mënyrën e rrjedhjes së aventurës së tij me Nerazzurrët, ndërsa kësaj radhe ka kritikuar drejtpërdrejt presidentin e klubit, Massimo Moratti.
“Nuk erdhi asnjë përforcim. Për herë të parë pas dhjetë viteve Inter nuk bleu asnjë futbollist prej atyre që kërkoi trajneri”, tha Benitez gjatë një interviste të tij me Radio Nacional de Espana.
“Moratti? Nuk e di pse nuk m’i solli përforcimet të cilët m’i kishte premtuar. I kam thënë të më blinte futbollistë ose të më jepte situatën në duart e mia ose të më largojë dhe Moratti e zgjodhi këtë të fundit. Kemi fituar Superkupën e Italisë dhe Kampionatin botëror të klubeve. Pas largimit tim, në janar erdhën pesë futbollistë prej të cilëve katër janë titullarë në ekipin aktual”, u shpreh ai.
Benitez nuk ishte për Interin ose Inter nuk ishte për Benitezin. Cilado prej këtyre dy tezave të jetë më e sakta, një gjë e pamohueshme është fakti se skuadra është përmirësuar dukshëm pas largimit të tij.
Ardhja e brazilianit Leonardo ka rikthyer entuziazmin në ekip, që tani ka vetëm pesë pikë më pak se lideri Milan në Serie A. E kaluara mund të konsiderohet si një tokë e huaj, në të ardhmen e Benitezit mund të jetë Atletico Madrid.
“Të punoj në Atletico Madrid? Nuk e di sa para mund të më ofrojnë. Mirëpo, gjëja më e rëndësishme është të punoj. Nëse është një projekt që për realizimin e tij kërkohet punë serioze, mund të bisedojmë. Nëse ekziston një skuadër e ndërtuar për të fituar, me mentalitetin e duhur, sigurisht se do të jetë më lehtë të fitoni tituj. Mirëpo, nganjëherë është më joshëse të keni sfida më të vështira”, theksoi ish menaxheri i Liverpoolit. Benitez duket i gatshëm për sfida të reja.
“Jam i gatshëm të punoj me këto kushte. Tani jam i qetë dhe pres. Nuk dua t’i krijoj presion askujt, por kur të ofrohet mundësia do ta vlerësoj. Kam respekt të madh për homologët e mi dhe shpresoj që ata të mbeten në drejtim të skuadrave të tyre sa më gjatë që është e mundur”, përfundoi Benitez.