E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthim për t’u harruar

Më në fund u kthye në fushë nga lëndimi, mirëpo fillimi ishte i keq. Portieri kosovar i Kalmarit, Etrit Berisha pranoi tre gola brenda 11 minutave në humbjen 3-2 nga Viking Stavanger. 21 vjeçari thotë se golat e pësuar i peshuan rëndë, por mbetet i lumtur që është rikuperuar. Nga Express më 19 shkurt 2011 në ora 11:08

Pas përfundimit të sezonit në kampionatin suedez, portieri kosovar i skuadrës Kalmar, Etrit Berisha ishte operuar nga hernia.

Për një kohë të gjatë ishte në dyshim se kur do të jetë i gatshëm të kthehet në fushë, mirëpo ai vendosi të provojë veten në përballjen kundër ekipit norvegjez Viking Stavanger në një miqësore gjatë fazës përgatitore për sezonin e ri.

Mirëpo, takimi ishte ankth për Berishën. Ekipi i tij u mposht me rezultat 3-2, por Berisha pranoi të tre golat në pjesën e parë dhe atë brenda vetëm 11 minutave.

“Kemi bërë shumë gabime dhe ato na kushtuan rëndë, jam i mërzitur”, tha Berisha për mediet suedeze. Qendërmbrojtësi i Kalmarit, Paul Arajuuri bëri një gabim nga i cili erdhi goli i parë në minutën e 24-të.

Berisha, 21 vjeç, kishte thirrur se do ta priste topin që po vinte në drejtim të tij, por Arajuuri vendosi ta prekë atë, ndërsa sulmuesi i Vikingut, Erik Nevland realizoi njëri prej golave më të lehtë në karrierën e tij.

“Kam biseduar me Paulin pas ndeshjes dhe ai ka thënë se më ka dëgjuar, por deshi të më ndihmonte duke e kthyer topin. Ishte vështirë, moment i pafat”, shtoi Berisha.

Nëntë minuta më vonë, Viking shënoi golin e dytë pas një rivënieje nga këndi, kur mbrojtja e Kalmarit nuk e largoi topin dhe Nevland shënoi për 2-0 nga afërsia. Berisha e goditi topin duke e nxjerrë nga rrjeta pak para se t’i kthehej përsëri aty. Birkir Bjarnarson shënoi për 3-0 menjëherë në sulmin e ardhshëm.

“Pas tre golave jam ndjerë shumë rëndë. Por, ne arritëm të përmirësojmë lojën tonë në pjesën e dytë dhe së paku kjo ishte diçka e mirë”, vazhdoi Berisha i cili megjithatë ishte i lumtur që u rikthye në fushë nga lëndimi.

“Nuk jam ende në 100 për qind të formës fizike, por jam ndjerë mirë që jam kthyer”, përfundoi ai.

Trajneri Nanne Bergstrand bisedoi me futbollistët e tij para fillimit të pjesës së dytë dhe duket se kjo pati sukses, dhe Kalmari ishte shumë pranë barazimit të rezultatit.

“Unë përsëri mendoj se kemi luajtur mirë, pavarësisht golave të pësuara në pjesën e parë. Ata shënuan tre gola nga katër raste që kishin”, tha Bergstrand.

Vlen të përmendet se përveç Berishës, në Kalmar luajnë edhe dy futbollistë të tjerë kosovarë: Liridon Leci, Alban Dragusha dhe Besnik Rrustemaj. Ndërsa më herët, gjatë kësaj jave, klubit i është bashkuar në prova edhe sulmuesi Njazi Kuqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›