Barcelonës do t’ia merrja Pedron

Mbrojtësi i Real Madridit, Marcelo ka thënë se nëse do të mund ta merrte një futbollist nga Barcelona, ai nuk do të ishte futbollisti më i mirë në botë për vitin 2010, Lionel Messi, por Pedro.
Pedro nuk ka zënë ballinat sikurse disa prej bashkëlojtarëve të tij nga gjiganti katallan, por ka qenë në formë të mirë së bashku me Messin dhe David Villan në sulmin e Barcelonës dhe ka realizuar 12 gola në 23 paraqitje si titullar për ekipin këtë sezon.
Tani ai ka marrë lëvdata nga një burim i pazakonshëm, pasi Marcelo e veçoi atë për vëmendje të veçantë duke e vendosur para Messis, edhe pse janë rivalë të drejtpërdrejtë për titull në La Liga.
“Nëse do të kisha mundësi të merrja një futbollist nga Barcelona në Real, atëherë do të vendosja për Pedron. Ai konsiderohet si sulmues, por bën punë të madhe duke u kthyer prapa për t’i ndihmuar ekipit. Nuk flitet shumë për Pedron, por në fakt ai është njëri prej futbollistëve kryesorë të katalanëve”, tha Marcelo për të përditshmen sportive spanjolle AS.