E Diel, 1 Nëntor 2026

I urti i letrave e i politikës

Të djathtë dhe të majtë u përkulën të hënën me nderime para të urtit të politikës shqiptare, Sabri Godo. Politikani, historiani e shkrimtari, Sabri Godo u varros në Tiranë.

Krerët më të lartë të politikës shqiptare për më se dy orë me radhë kanë nderuar në ambientet e selisë së seancave të Kuvendit shkrimtarin e politikanin e njohur, Sabri Godo, i cili u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare.

Në homazhet për nder të Sabri Godos morën pjesë presidenti i Republikës, Bamir Topi; kryeparlamentarja Jozefina Topalli; kryeministri Sali Berisha; kryetari Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, kryetari i PRSh Fatmir Mejdiu; kryetari i LSI’së, Ilir Meta, por edhe politikanët opozitarë, si ish-presidenti Rexhep Meidani, deputetët e PS’së, Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Ben Blushi, Taulant Balla, Tom Doshi e Fatmir Xhafaj, dhe kreu i PSD’së, Skënder Gjinushi.

Nuk munguan as Princi Leka i Dytë, zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, e as ish-kryeparlamentari Servet Pëllumbi. Mungoi vetëm kryetari i PS’së, Edi Rama, i cili të dielën promovoi në Shkup librin e tij “Kurban”, ndërkaq një ditë më vonë të njëjtën gjë e bëri edhe në Tetovë, duke takuar edhe politikanët shqiptarë Ali Ahmetin e Menduh Thaçin.

Ndarjen nga jeta të Sabri Godos, kryeministri shqiptar e ka cilësuar si një humbje të madhe për politikën dhe letrat e Shqipërisë. Pas homazheve, kryeministri Berisha iu bashkua familjarëve, të afërmve, miqve e kolegëve të Sabri Godos, për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.

Jo vetëm krerët më të lartë të shtetit shqiptar, por edhe ata nga Maqedonia e Kosova kanë zhvilluar homazhe në nderim të Sabri Godos. Homazhe për Godon kanë zhvilluar edhe përfaqësues të partive shqiptare nga Maqedonia, si Ali Ahmeti i BDI. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjes Godo, Partisë Republikane të Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve, me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit Sabri Godo. Po ashtu, në homazhe ishin të pranishëm ambasadorë të shumtë të akredituar në Tiranë, ambasadori Arvizu, Sequi, Wolfarth.

Sabri Godo lindi në Delvinë, më 8 gusht 1929. Ishte pjesëmarrës i luftës antifashiste, megjithëse pas përfundimit të saj iu desh të largohej nga Shqipëria - bashkë me nënën e tij – si i përndjekur politikisht. Godo njihet si publicistë i papërtuar, me mbi 3,000 faqe fejtone e kritika, të shkruara për revistën ‘Hosteni’. Në janar të vitit 1991 ai themelon Partinë Republikane të Shqipërisë, kryetar i së cilës ishte shtatë vjet, e pastaj edhe president nderi i saj, pas zgjedhjes së Fatmir Mejdiut si kryetar i ri i PRSH. Ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë për dy mandate.

Veç kësaj, 82- vjeçari Godo do të mbahet mend edhe si shkrues i Kushtetutës së Shqipërisë, në vitin1998, dhe si një nga mendjet më të ftohta dhe më me ndikim në politikën shqiptare. Por, edhe shkrimtar i disa romaneve historikë shumë të vlerësuara, e si themelues i letërsisë historike shqiptare.

Godo i letrave

I përjashtuar nga Partia Komuniste, pas martesës me një vajzë nga familja e madhe e Vrionëve – e cila njëkohësisht njihej edhe si armike e regjimit komunist - Godo i shpëtoi fatit më të keq vetëm falë romanit për Ali Pashë Tepelenën, i cili mesa duket i kishte pëlqyer diktatorit Hoxha. Këtë Godo e pranon edhe vetë në një intervistë autobiografike:

“Them se, po të mos e kisha botuar në fillim ‘Ali Pashën’, që u pëlqye dhe u përkrah nga vetë Enver Hoxha, e pastaj edhe ‘Skënderbeun’, atëherë them se mund të kisha përfunduar shumë më keq”.

Por, në fakt, letërsinë e kishte filluar edhe më herët, me romanin si “Plaku i Butkës” (i vitit 1966), dhe me përmbledhjen me tregime “Zëra nga Burime të Nxehta”. Mirëpo, kulmin e arriti me romanin historik “Ali Pashë Tepelena” (i botuar fillimisht në 1970) e pastaj edhe me tjetër historik “Skënderbeu” (i botuar në vitin 1975). Ishin këto dy kryeveprat e tij letrare, që i dhanë peshë, por edhe i përcaktuan konturat e asaj që Godo do të përfaqësonte më vonë në politikë dhe në qëndrimet e tij publike. U shndërruar në një politikan, që duket se u ndikua shumë nga personazhet e mëdha historike për të cilat shkroi, duke mësuar prej tyre.

Sidoqoftë, rrugëtimin nuk e përfundoi ke kaq, sepse shkroi edhe librat “Prova e Zjarrit” (1977), “Ujërat e Qeta” (1988), “Koha e Njeriut” (1990), dhe i ripunoi romanet “Ali Pashë Tepelena” dhe “Skënderbeun”. Në vitin 2009, Godo romanin e tij të fundit, të titulluar “Udhëtari”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›