E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jehona e Skenës UP

Jehona e Festivalit Ndërkombëtar të Studentëve të Filmit dhe Teatrit ‘Skena UP’ ka mbërritur deri në Australi. Gazeta The Canberra Times ka botuar një shkrim për këtë festival, të cilin e vlerëson si lidhje të Kosovës me pjesën tjetër të botës.

Festivali Ndërkombëtar i Studentëve të Filmit dhe Teatrit ‘Skena UP’, i cili u hap të hënën mbrëma, midis tjerash, ka sjellë edhe një risi të veçantë. Mbledhja e gazetarëve të kulturës të disa shteteve të ndryshme për ta përcjellë festivalin duket se që në momentin e parë filloi të japë frytet e veta.

Gazeta australiane The Canberra Times, gazetarja e së cilës ndodhet në Prishtinë për ta përcjellë festivalin, ka bërë një shkrim për Skena UP, duke e vlerësuar si një eveniment kulturor të rëndësishëm në Kosovë.

“Në një vend ku ngjarjet kulturore janë aq të pakta në krahasim me fondin që e kërkojnë dhe kur merret parasysh se 65 përqind e popullatës është nën 30-vjeçare, Festivali i Studentëve të Filmit dhe Teatrit ‘Skena UP’ është bërë instalim i njohur i kalendarit argëtues”, shkruan kjo gazetë.

Më tej shton se adhuruesit e filmave paguajnë një biletë modeste që kushton një euro për të parë filmat e bërë nga studentët nga e tërë bota në njërën prej dy kinemave të kryeqytetit. Këtë vit, organizatorët kanë përzgjedhur 60 prej 800 filmave të jashtëzakonshëm.

Gazeta, midis filmave të shumtë, ka veçuar filmin e shkurtër viktorian ‘Wonder Boy’, një rrëfim që flet për një kinez të ri të Australisë që tenton të gjejë përgjigjen se kush është dhe të gjejë vendin e tij në shkollë.

“Është një temë që mund të duket e njohur, së paku në një sens metaforik, për qytetarët e një vendi që më pak se gjysma e shteteve të botës e konsiderojnë shtet. Në mesin e atyre që nuk e konsiderojnë është Serbia, e cila ka refuzuar ta njohë Kosovën që kur kjo e fundit e shpalli pavarësinë në vitin 2008”, shkruan gazeta australiane.

Pasi flet për tensionet në veri, gazetarja i kthehet festivalit, duke pohuar se politika mbetet prapa në Skena UP. Regjisori 29 vjeçar Arben Zharku thotë se festivali të cilin ai dhe disa prej miqve të tij aktorë e filluan para nëntë vjetëve po promovon pajtim, megjithëse në një arenë të vogël.

“Kundërshtimi i paragjykimeve është i lehtë të bëhet nëpërmjet arteve”, thotë ai për gazetën The Canberra Times.

“Atë çfarë politikanët nuk po e bëjnë, ne e kemi bërë para shumë kohe”, shton ai, duke e cituar shembullin e një performanse serbe në vitin 2006 që ishte aq e kërkuar, saqë njerëzit ishin ulur edhe midis radhëve.

“E kemi thyer një mur që ishte ndërmjet nesh”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›