I vë tritol hotelit të tij, shkak konflikti me ortakun
KRUJË – Përplasja mes ortakëve të ish Kampit të Punëtorëve në Qafë Shtamë të Krujës ka përfunduar me vënien e tritolit të hotelit, dhe vetëm 24 orë më vonë ka rënë në pranga i dyshuari për këtë ngjarje. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Durrësit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së hënës “rezultoi si i dyshuar për kryerjen e kësaj ngjarje shtetasi Saimir Brahimi, lindur dhe banues në fshatin Cudhi të rrethit të Krujës”. Sipas këtyre burimeve, më 8 qershor të këtij viti 20-vjeçari Brahimi, dyshohet se i ka vënë në sasi lënde eksplozivi ish-Kampit të Punëtorëve në Qafë - Shtamë, objekt i cili është në pronësi të vetë atentatorit dhe të kushëririt të tij, me inicialet, L.B., 50 vjeç, me banim në të njëjtin fshat.
Arrestimi
Shpërthimi i një sasie tritoli në hotelin e Qafë-Shtamës, dikur ish-Kampi i Punëtorëve, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së dielës, rreth orës 21.30, është bërë shkas për nisjen e hetimeve dhe zbulimin e kësaj ngjarje vetëm 24 orë më vonë. Dy ditë më parë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë në sajë të një pune hetimore, nën drejtimin edhe të Prokurorisë së Rrethit Krujë, bënë të mundur dokumentimin e ngjarjes, ku shpërtheu një sasi tritoli, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në kompleksin hotelier. Në përfundim të operacionit, i dyshuar për vënien e lëndës eksplozive ishte shtetasi Saimir Brahimi, lindur dhe banues në fshatin Cudhi e rrethit të Krujës. 20-vjeçari, me arsim 8-vjeçar nuk ishte dënuar më parë apo kërkuar për ndonjë vepër penale. Brahimi u ndalua në hënën, rreth orës 20.30, dhe akuzohet për veprën penale të “shkatërrimit të pronës më eksploziv”
Motivet
Menjëherë pas shpërthimit që ndodhi në dielën, rreth orës 21.30 policia nisi hetimet. Nga të dhënat e para, dhe nga dëshmia që dha njëri nga pronarët, u shtrua pista e një konflikti të brendshëm nga vetë ortakët e objektit. Burimet në grupin hetimor bëjnë të ditur se shtetasi L.B., 50 vjeç, edhe ky me banim në fshatin Cudhi, një nga pronarët e ish Kampit të Punëtorëve të Qafë Shtamës, ka deklaruar se ka patur konflikte me ortakun e tij Saimir Brahimi, të cilin e ka edhe të afërm.
“Nga hetimet e deritanishme rezulton se ngjarja ka pasur motive pronësie e ato të konkurrencës pasi lidhet me pronësinë e ish Kampit të Punëtorëve të Qafë-Shtamës, midis bashkëpronarëve të së cilit bëjnë pjesë edhe pala e dëmtuar dhe ajo e akuzuar”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit. Sipas saj, materialet procedurale iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Krujë.
11 Qershor 2008