Vodhën dhe dogjën mjetin e policisë, 4 veta në pranga
TROPOJE – Katër të rinj nga Tropoja pasi vodhën makinën e një punonjësi police dhe pas aksidentit që pësuan me mjetin e grabitur, e dogjën atë për të fshehur gjurmët, por janë zbuluar brenda 24 orësh, duke rënë në pranga. Burimet zyrtare të komisariatit të Bajram Currit bëjnë të ditur janë zbuluar dhe prangosur autorët e grabitjes dhe të zjarr-vënies së mjetit, pronë e Gëzim Bashës, me detyrë përgjegjës kuadri në policinë kufitare të Qafë Morinës. Elton Kuca, Ekzon Prengzi, Fatjon Selimi dhe Almadin Isufi në bashkëpunim me njëri tjetrin rreth mesditës së së hënë vodhën mjetin që ishte parkuar në afërsi të qendrës së Tropojës, ndërsa pronari i tij ishte ulur në një lokal aty pranë. Të rinjtë pas këtij akti kanë udhëtuar me mjetin në drejtim të fshatit Llugaj , rreth 8 km larg Tropojës ku pësuan dhe një aksident. Pas kësaj 4 djemtë vendosën të digjnin mjetin. Policia vuri në ndjekje dhe mbrëmjen e së hënës, rreth orës 18.30 mundi t’i prangosë autorët e kësaj ngjarje.
Zhduket prej 7 ditësh, shpallet në kërkim 70-vjeçari
KURBIN - Kanë kaluar mbi një javë nga humbja e Likë Muçës nga fshati Vinjollë i Kurbinit, ndërkohë trupi i tij i pajetë akoma nuk është gjetur megjithësë kërkimet që po kryhen nga ana e familjarëve si dhe banorëve të fshatrave të Milotit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se 70 vjeçari Muça është mbytur në lumë. Kërkimet në anë zyrtare po kryhen vetëm nga policia e Kurbinit edhe pse u kërkua ndihma e forcave speciale. Familjarët apelojnë për ndihmë. Likë Muça, humbi një javë më parë teksa kulloste bagëtinë në malin e Skëndërbeut. Stuhia e papritur me shtrëngata, erë të fortë dhe shira të rrëmbyeshëm ka bërë që përroi i këtij mali të tejmbushej me ujë. Uji i përroit ka marrë me vete 70 vjeçarin, duke e zhdukur atë.
I dehuri kërcënon me armë familjen e kushëririt
VLORË – Në gjendje të dehur, ka marrë automatikun, duke kërcënuar të gjithë pjesëtarët e familjes së kushëririt, por më pas është ndaluar. Burimet zyrtare të policisë së Vlorës bëjnë të ditur se të hënën në mesditë, rreth orës 14.00, është arrestuar në flagrancë shtetasi Spartak Cenaj, lindur dhe banues në fshatin Kërkovë. Sipas tyre, 25-vjeçari ka qenë i dënuar më parë për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”. Arrestimi u bë për arsye se ky shtetas, në gjendje të dehur, pasi ka shkuar në banesën e shtetasit Florian Cenaj, në fshatin Kërkovë, rreth orës 3.00 të dy ditëve më parë, ka rrahur Florianin dhe më pas ka kërcënuar gjithë pjesëtarët e familjes së tij me armë automatike tip “Kallashnikov”.
11 Qershor 2008