I vënë gjobë 100 mijë euro italianit, pranga dy policëve
Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë, ku mes tyre është edhe një punonjës i Policisë së Burgjeve, pasi akuzohen për vënien e një gjobe ndaj një biznesmeni italian. Gjobën e vënë kanë tentuar që t’ia marrin italianit nëpërmjet mashtrimit për të mbyllur një çështje penale, megjithëse ai ka kërkuar ndihmën e policisë, që ka vënë në pranga autorët e dyshuar. Burimet zyrtare bënë të ditur se Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar kryesisht një procedim penal që bën fjalë për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, parashikuar nga neni 109/b, 25 të Kodit Penal. Nga hetimet paraprake në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë së Kurbinit ka rezultuar se shtetasi italian me inicialet E. P, i cili ushtronte një aktivitet privat të përpunimit të lëkurave në Qarkun e Lezhës, është bërë objekt i një kërcënimi për të dhënë shumën prej 100 mijë eurosh, nga tre persona. Për këtë, prokuroria dhe policia thanë se është arrestuar Sefer Dervishi, 27 vjeç, lindur dhe banues në Mamurras, administrator i firmës së kallëzimtarit E. P., i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “Konkurrencës së paligjshme nëpërmjet dhunës”. Bashkë me të janë arrestuar Jetnor Dushaj, 24 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Fushë-Krujë, me detyrë punonjës policie në burgun e Fushë-Krujës dhe Ermal Malaj, 32 vjeç. Në lidhje me këtë të fundit, hetimet nxorën në pah se ai, me detyrë punonjës policie në burgun e Fushë-Krujës ka ndihmuar dy personat e parë. Sipas kallëzuesit, shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim, i kanë kërkuar shumën prej 100 mijë eurosh, në shkëmbim të mbylljes së një problemi me policinë. Nga të dhënat mësohet se ai ka ardhur para pak ditësh në Shqipëri për të parë punët që administronte Dervishi, por këtu është zbuluar edhe e gjithë historia. Më 14 maj, Dervishi kishte futur dy policët e burgjeve t’i vënë tritol një konkurrenti në Kavajë, i cili nuk ka shpërthyer. Tritoli është vënë pa dijeninë e italianit. Ata janë shprehur se policia ishte vënë në dijeni dhe dyshonte se e kishte kryer italiani dhe për këtë kërkonin 100 mijë euro që të mbyllnin këtë problem. Megjithatë italiani njoftoi policinë dhe në bashkëpunim me ta, u bë arrestimi i tre personave.
#