E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi, letër Topallit: Nisma e PD shkel rregullat ligjore

Reagimi “Kërkoni të përsërisni të njëjtin skenar si me rrëzimin e kandidaturës për Gjykatën Kushtetuese”

Përpjekjet e shumicës parlamentare për të ndryshuar Rregulloren e Kuvendit, përveç qëllimeve politike që “fshehin”, po manifestojnë edhe origjinalitetin juridik të realizimit. Jo vetëm nxitimi, por edhe respektimi i procedurave parlamentare është shpërfillur tërësisht, duke sjellë tensione të reja politike në Kuvendin e Shqipërisë. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste shprehu shqetësimin dhe indinjatën e thellë në lidhje me veprimet e fundit të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë dhe si përfaqësuese e mazhorancës politike që përfaqëson, për shkak se në mënyrë flagrante, po shkel çdo rregull bazë të funksionimit të jetës demokratike në Kuvend. Përmes deputetit të saj, Damian Gjiknuri, ka argumentuar shkeljet ligjore të konsumuara në këtë rast, por edhe praktikën e një guerileje parlamentare. “Emërimi nga Kryetarja e Kuvendit e anëtarëve të opozitës, pa pyetur më parë ata vetë, grupin politik të cilit i përkasin dhe mbi të gjitha, në mënyrë të fshehtë dhe pa asnjë lloj dijenie, dhunon parimet dhe frymën e Rregullores së Kuvendit. Ndërkohë në këtë Këshill janë emëruar vetëm katër anëtarë të saj, si dhe z. Shpëtim Idrizi si anëtar i pestë i opozitës, kur dihet që z. Idrizi, është anëtar i një grupimi tjetër politik pjesë e mazhorancës qeverisëse”, ka deklaruar Gjiknuri. Ndërkohë shkeljet që janë formalizuar nga mbledhja e parë e zhvilluar në klimën e një kurthi për deputetët opozitarë kanë vijuar me temën e trajtuar, e cila konsiston në kalimin e ndryshimeve në Rregullore dhe imponimin e votimit të hapur për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë. “Neni 117 i Rregullores parashikon se çdo propozim për ndryshim në të ndjek rrugën që ndjekin projektligjet dhe si rrjedhim duhet t’i nënshtrohet kërkesave të nenit 26, 27, 28, 29 dhe nuk mund të përfshihet për diskutim pa u futur më parë në Kalendarin e punimeve... Propozimi në fjalë (sidomos fshirja e pikës 2 të nenit 58 ), synon të eliminojë përfundimisht votimin e fshehtë në lidhje me dekretet për emërimin e tyre”, argumentoi Gjiknuri. Në letrën e dërguar nga kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, për Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, thuhet se neni 117 i Rregullores parashikon që çdo propozim për ndryshim në të, ndjek rrugën që ndjekin projektligjet dhe si rrjedhim duhet t’u nënshtrohet kërkesave të nenit 26, 27, 28, 29 dhe nuk mund të përfshihet për diskutim pa u futur më parë në Kalendarin e punimeve, i cili duhet të miratohet në seancë. Kalendari në fuqi për periudhën 24 maj-10 qershor nuk e parashikon shqyrtimin e këtij akti dhe si rrjedhim ky propozim nuk mund të shqyrtohet në asnjë rrethanë. “Shkeljet flagrante të procedurës, si në formimin e Këshillit ashtu edhe në futjen e propozimit për ndryshimin e rregullores, me nxitim të pajustifikuar për rëndësinë që paraqet ky akt, tregojnë qartë synimet e mbrapshta që ka mazhoranca në lidhje me një nga funksionet më të rëndësishme që ka Kuvendi, dhënien e pëlqimit për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë”, vijon letra.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›