Gjykatat, të ndryshojë procedura e emërimit
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtuese, Rustem Gjata, rekomandon që palët politike në vend duhet të bashkëpunojnë për të ndryshuar mënyrën e propozimit dhe miratimit të kandidaturave për anëtarët e institucioneve kushtetuese. Në një prononcim për “Shqip”, konstitucionalisti Gjata deklaron se është e nevojshme që të ketë një ndryshim në Kushtetutë, sipas të cilit të drejtën për të zgjedhur fillimisht kandidaturat duhet ta ketë Parlamenti. Sipas Gjatës, në këtë mënyrë Parlamenti do të mund t’i dërgonte Presidentit emrat për kandidatët dhe Presidenti të bënte përzgjedhjen përfundimtare për to. “Mendoj se praktika aktuale përmes së cilës zgjidhen anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese duhet të ndryshojë. është e udhës që të jetë Parlamenti institucioni që të përzgjedhë kandidaturat, pasi ky institucion ka mundësinë që të hetojë mbi të kaluarën e tyre dhe kriteret e tjera”, rekomandon Gjata. Sipas tij, kjo praktikë e cila përdoret gjerësisht në Europë dhe më gjerë, do t’i jepte fund dhe kontradiktave mes palëve që lindin gjatë procesit të dekretimit dhe votimit. Nga ana tjetër, Rustem Gjata e konsideron si një situatë normale rotacionin me gjashtë anëtarë, që është duke ndodhur në këtë institucion. Konstitucionalisti i mirënjohur shprehet se Kushtetuta e vendit dhe ligji për funksionimin e Gjykatës së Lartë nuk e ndalojnë rotacionin me më shumë se tre anëtarë. “Neni i Kushtetutës, i cili flet për një rotacion me një të tretën e anëtarëve është për të bërë një rregull në fillim të punës së Gjykatës Kushtetuese dhe për efekt qarkullimi dhe përvoje në këtë gjykatë. Për shkaqe nga më të ndryshmet mund të ndodhë që ky rend të prishet dhe ky nuk është ndonjë problem, sepse nuk ka një ndalim kushtetues”, argumenton Gjata, cili ka drejtuar Gjykatën Kushtetuese që nga krijimi i saj në vitin 1992 deri në vitin 1998. Nisur nga kjo përvojë e gjatë në drejtimin e këtij institucioni, Gjata thekson se një rast i tillë ka ndodhur edhe gjatë periudhës, ‘97-‘98, kur brenda afatit prej tetë muajsh, është bërë një rotacion prej pesë anëtarësh në Gjykatën Kushtetuese. Sipas ish-drejtuesit të këtij institucioni në shtetin fqinj, Maqedoni, ka pasur një rast pak vite më parë, ka pasur një rast në të cilin të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë emëruar brenda një dite, si pasojë e një shkarkimi të mëparshëm që kishte ndodhur. Sipas Gjatës, ajo që ka më shumë rëndësi në funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese lidhet me faktin se anëtarët e saj duhet të jenë patjetër nëntë, ashtu siç i përcakton Kushtetuta gjatë kohës së dhënies së vendimit. “Lënia e paplotësuar e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të ishte një problem i vërtetë, pasi do ta linte këtë institucion të cunguar”, thekson Rustem Gjata. Sipas tij, një pjesë e mirë e vendimeve të kësaj gjykate merret me një shumicë prej pesë anëtarësh dhe në rast se numri i tyre nuk do të ishte i plotësuar, atëherë do të kishte probleme në funksionimin e këtij institucioni.
#