Aksion për ndërprerjen e ujit të pijshëm
SHKODËR - Task forca e ndërrmarrjes së ujësjellësit dhe kanalizimeve në Shkodër ka nisur ndërprerjen e furnizimit me ujë tek debitorët familjarë. Kjo ka ndodhur për shkak të mospagesës së faturave të ujit të pijshëm. Si rrjedhojë, gjatë ditës së martë u janë shkëputur tubacionet e furnizimit me ujë të pijshën disa debitorëve familjarë që jetojnë tek pallatet në lagjen “Daniel Matlia”. Sipas shefit të task forcës së ujësjellës-kanalizimeve në Shkodër, Avdyl Zejnunit, aksioni do të vazhdojë edhe në lagje të tjera, aty ku shumë familje rezultojnë të jenë debitore në pagesën e ujit të pijshëm. Sipas tij, problematike paraqitet situata e pagesës së ujit të pijshëm tek abonentët familjarë që jetojnë në shtëpi private. “Në rast se do të vërehet rilidhje e tubave të furnizimit me ujë të pijshëm, ato familje që do ta kryejnë një veprim të tillë do të ndiqen penalisht”,- sqaroi Zejnuni. Ndërsa, sipas shefes së departamentit ekonomik të ndërmarrjes së ujësjellës – kanalizimeve në Shkodër, Sabahet Vidha, situata paraqitet dramatike për shkak se vetëm 60% e abonentëve familjarë i paguajnë faturat e ujit të pijshëm, dhe një pagesë e tillë nuk i mbulon shpenzimet e ndërmarrjes. “Fatura e ujit të pijshëm duhet paguar në mënyrë që të garantohet një shërbim cilësor. Qyteti i Shkodrës ka furnizimin më të mirë me ujë të pijshëm se të gjitha qytetet e tjera dhe çmimin më të ulët për frymë për këtë shërbim të domosdoshëm”, shtoi Vidha duke apeluar për pagesë të faturave nga debitorët.