E Diel, 1 Nëntor 2026

I vetmi i shprehur se është për ta pranuar pavarësinë e Kosovës

Për aq sa kam pasur mundësi, kam arritur të identifikojë dy grupe kryesore serbe, të cilat posedojnë qëndrim diametralisht të kundërt në lidhje me Kosovën, çka njërin prej tyre do të ishte e udhës që ta përvetësonin serbët që jetojnë në shtetin më të ri të botës.

Njëri është ai që përbëhet prej demek intelektualëve Ivo Andriç, Dobrica Qosiq, Vuk Drashkoviç, kurse tjetri është ai që mund të identifikohet me intelektualët Bogdan Bogdanoviç, Mirko Kovaç, Vladimir Arsenijeviç, etj.

Ç’është e vërteta, ka qenë pikërisht mendësia e këtyre të parëve, që e ka ndezur eshkën e nacionalizmit serb në këtë pjesë të botës, me ç’rast, sidomos në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë, janë shkaktuar dhimbje të mëdha gjatë dekadës së kaluar. Për këtë tabor, Kosova është “djep i serbizmit” .

Realisht, edhe trinomi Tadiç-Cvetkoviç-Jeremiç, që udhëheq sot me Serbinë, nuk i mungon asnjë trohë disponimi për manipulime me ata që u hiqen sikur ua duan të mirën, duke i nxitur pareshtur për obstruksione të ndryshme në Kosovë.

I vetmi politikan serb, prej të cilit mund të pritet diçka normale, në rast se vjen ndonjëherë në pushtet, është Çedomir Jovanoviç, i cili është shprehur haptazi se është për ta pranuar pavarësinë e Kosovës.

Serbët e Kosovës, më në fund, duhet të ngjizin tek vetja atë që Kanti e quante autonomi e vullnetit. Receptuar për rastin konkret: secili serb që jeton këtejpari t’i thotë vetes; unë duhet ta përqafoj skuadrën e Bogdanoviçit, Kovaçit, Arsenijeviçit, etj.; unë duhet ta pranoj shtetin e Kosovës si timin; unë duhet të mos e dëgjoj Beogradin zyrtar etj. Demonstrimi i destruktivitetit nuk qet asgjëkundi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›