Ligj apo amalgamë inatesh personale?
Ligji për dosjet dhe për pastërtinë e figurave, duhet të jetë i rreptë, i thellë dhe i zbatueshëm. Zoti Berisha gënjen kur citon ligjin çek, pasi ligji çek përjashton dhe sekretarët e partive në rrethe ose rangjet e ngjashme dhe nuk është identik me ligjin tonë. Ai ishte një ligj i zbatueshëm dhe, si i tillë, u bë i suksesshëm.
Ligji i zotit Berisha nuk është çek, pasi çekët kanë dy ligje, një për dosjet dhe një për pastërtinë e figurave, nuk është gjerman, nuk është perëndimor dhe në finale nuk është antikomunist. Ai është amalgamë inatesh personale që projektojnë dëshirën e tij për t’u bllokuar nga Gjykata Kushtetuese dhe për të mos u zbatuar, me qëllim që ai të ketë të drejtë të akuzojë pa dënuar njeri dhe të mbrojë të dënuarit e vet për korrupsion duke akuzuar. Ajo që ai ka tri ditë që bën, duke u futur në krizë me SHBA-në për disa rekomandime kushtetuese, nuk janë gjeste prej antikomunisti dhe as prej lideri perëndimor. Përpjekja e tij për t’i mbushur mendjen qeverisë amerikane, se nuk e kupton këtë punën e komunizmit, po ashtu është vulgare dhe tregon se ai është i qartë në planin e tij. Zoti Berisha po e çon vendin në krizë me vetëdije, se është i sigurt se vetëm kriza është mjeti, me të cilin ai mund të mbijetojë tashmë politikisht. Në çdo situatë ai del i humbur, pasi ka një bilanc tragjik me korrupsionin.
Në vitin e tij të tretë si Kryeministër, ai ka në Prokurori dhe vajzën, dhe djalin, dhe Lulin. Nga kjo situatë ai nuk mund të dalë, veçse me krizë. Dhe krizën po e provokon çdo ditë me të gjitha mënyrat, me qëllim që palët të hidhen në luftë ose me atë, ose kundër atij. Ashtu ai do të mbijetojë politikisht, si heroi i pakicës dhe do shmangë legjitimitetin e humbjes së tij. Gabojnë opozitarët kur mendojnë se ai do të dënojë eksponentët e regjimit. Ata duhen dënuar një orë e më parë, pa pasur nostalgji për humbjen e karrierës së tyre. Mjafton që të bëjmë një ligj të zbatueshëm dhe efektiv për spastrimin e figurave të komunizmit. Por zoti Berisha nuk kërkon këtë. Ai kërkon të prodhojë krizë me një arsyetim formal antikomunist, duke shpresuar se kështu do të rigënjejë viktimat e komunizmit që i ka lënë rrugëve pa lekë dhe pa dëmshpërblim financiar. Aq lekë sa është diferenca mes çmimit real dhe atij formal për rrugën Durrës-Kukës, do të mjaftonin të qetësoheshin mijëra shpirtra të lënduar nga komunizmi, që janë ende rrugëve pa shtëpi dhe pa perspektivë.
Aq pará sa ndërmjetësonte djali i tij në Gërdec dhe Rinas, mund të mjaftonin për të rehabilituar qindra familje të persekutuara, nëse do t’u jepej shansi i biznesit të ndershëm.