Kapet njeriu që frymëzoi filmin e Hollivudit Lord of War
Në një artikull në faqen e parë, e përditshmja “Financial Times”, boton fotografinë e një shtetasi rus, që pretendohet se është trafikant armësh, i cili po lufton në një gjykatë të Tajlandës kërkesën e autoriteteve amerikane për ta ekstraduar.
Viktor Bout, shkruan gazeta, u arrestua në mars në një operacion ku ishin të përfshirë agjentë amerikanë dhe forcat tajlandeze. Nëse ekstradohet në Amerikë dhe gjendet fajtor për trafik armësh, ai përballet me burgim të përjetshëm.
Edhe gazeta “Guardian” i kushton një artikull procesit gjyqësor ndaj z. Bout në Bangkok.
Ajo shkruan se ish-oficeri i ushtrisë sovjetike, që njihet ndryshe dhe si Tregtari i Vdekjes, është truri pas atij që pretendohet se është biznesi më i madh në botë për trafikimin e armëve dhe ka shërbyer si frymëzim për filmin e Hollivudit “Lord of War”.
Pretendohet se z. Bout ka trafikuar armë për konfliktet që nga Libia dhe Sierra Leone në Afrikë, deri në Afganistan.