Nëntë institucione që nuk kanë bërë detyrën ndaj qytetarëve
Në skandalin e Gërdecit, ku të gjitha institucionet e shtetit heshtën, nuk ekzistonin e nuk funksiononin.
Kështu: Ministria e Jashtme- Ka propaganduar me çdo mjet performancën e qeverisë tek partnerët evropianë dhe aleati kryesor, USA-ja, në luftën kundër korrupsionit dhe sidomos z. Berisha, për të siguruar mbështetjen dhe larguar çdo dyshim ndaj tij për shfrytëzim posti dhe për të forcuar besimin tek ai, një antikorrupsionist i paepur. 2 - Ministria e Mbrojtjes – Kundër ligjit ndryshoi kontratën e nënshkruar me USA-në, e riorganizoi aktivitetin me një firmë fantazmë për të rritur më shumë vlerën financiare të biznesit të M.M (qeverisë), duke zgjedhur aty persona shumë të afërt të Kryeministrit. 3 - Ministria e Brendshme – Kundër ligjit siguronte ruajtjen e fabrikës dhe biznesit të qeverisë për demontimin e municionit luftarak të ushtrisë në fshatin Gërdec, 5 km larg aerodromit ndërkombëtar të Rinasit, për të zvogëluar sa më shumë humbjet, e rritur sa më shumë fitimet.
4- Ministria e Punës – Kundër ligjit fshehu biznesin qeveritar në fshatin e Gërdec, lejoi aktivitetin e paligjashëm e nuk siguroi qindra punëtorë të fabrikës së vdekjes. 5- Ministria e Financës – Kundër ligjit nuk regjistroi dhe nuk kontrolloi asnjëherë biznesin, duke përjashtuar subjektin (qeveri) nga çdo detyrim tatimor, për të mos zvogëluar fitimet. 6- Ministria e Ekonomisë – Kundër ligjit nuk regjistroi biznesin e qeverisë për të liberalizuar tregun, luftuar informalitetin dhe monopolet.
7- SHIK-u – Kundër ligjit nuk raportoi tek Kryeministri asgjë, lejoi, mbështeti dhe siguroi biznesin e qeverisë nga mafia. 8- SHIU – Kundër ligjit fshehu biznesin e Ministrisë së Mbrojtjes për demontimin e municionit të ushtrisë në fshatin Gërdec, duke mos evidentuar e raportuar asgjë tek eprorët direkt, duke siguruar biznesin nga populli civil. 9- Pushteti Vendor – Kundër ligjit bashkia Vorë, subjekt i PD-së nuk kontrolloi asnjëherë aktivitetin e qeverise për të mbështetur biznesin, pasi ajo i caktoi në këto poste.