E Shtunë, 31 Tetor 2026

I vihet lëndë plasëse varrit 120-vjeçar

SHKODËR - Një sasi lënde plasëse ka dëmtuar një varr në fshatin Kokëpapaj të komunës Gruemirë në rrethin e Malësisë së Madhe, duke sjellë dhe rrëzimin e një kryqi që ndodhej në të. Sipas policisë, nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se varri i përkiste shtetasit Kokë Palushi, ish-banor i zonës dhe ishte 120-vjeçar.


Lënda plasëse është vendosur rreth orës 23:00 të së dielës dhe kanë qenë tre banorë të zonës që kanë dëshmuar se kanë dëgjuar zhurmën e shpërthimit, por nuk kanë lëvizur se ka qenë natë, por kanë lajmëruar policinë. Në mëngjes është konstatuar dëmtimi i varrit dhe rrëzimi i kryqit 2,5 m që ndodhej në të.


Një grup hetimor i antiterrorit të drejtorisë së policisë Shkodër ka mbërritur në vendgjarje, por ende nuk është zbardhur asgjë në lidhje me autorët e këtij akti, që ka lënë një shije të hidhur tek të gjithë banorët e këtij fshati. Banorët e zonës shprehen se këto veprime i kryejnë segmente të caktuara që nuk janë as myslimanë e as katolikë.


Sipas tyre, fshati ka një përbërje heterogjene me pjesëtarë të dy besime që asnjëherë nuk kanë pasur konflikt mes tyre. Varri 120-vjeçar, sipas banorëve, nuk i përket Kokë Palushit pasi ai së bashku me vëllanë e tij, Kolë Palushin, i kanë varret diku tjetër.


Banorët tregojnë se kanë dëgjuar nga paraardhësit e tyre se ky varr i përket një ushtari austriak të paidentifikuar dhe para rreth katër viteve po në këtë varr është vendosur lëndë plasëse, duke dëmtuar kryqin. Varri ndodhet i veçuar nga varrezat e tjera që janë varreza myslimane. Sokol Keqani, banor i zonës, shprehet se është hera e dytë që ndodh kjo gjë në këtë fshat malor dhe askush nuk është ndaluar.


Emri i vënë aty është shkruar kur është vendosur edhe kryqi. "Është një akt i shëmtuar, se varret respektohen kudo dhe shteti duhet të ndalojë këta persona të papërgjegjshëm që duan përçarje fetare", thotë ai. Në komunën e Gruemirës 65% e banorëve janë myslimanë dhe 35% janë katolikë, por ngjarja e ndodhur nuk ka ndikuar aspak në marrëdhëniet mes besimtarëve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›