E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohet banda e të miturve, tentuan të grabisin policët


LUSHNJË/ Policia ka vënë në pranga një 15-vjeçar, ndërsa tre të mitur janë lënë në gjendje të lirë për shkak të moshës

Burime nga uniformat blu bënë të ditur se grabitësit ndaluan shefin e policisë kriminale dhe dy agjentë

LUSHNJË - Të maskuar dhe të armatosur kanë ndaluar një automjet duke tentuar të grabisin personat që ndodheshin në të. Por e kanë kuptuar vetëm pak më pas se kishin tentuar të grabisnin shefin e krimeve në komisariatin e qytetit, si dhe dy agjentë të tjerë të policisë kriminale. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Lushnjës, ndërsa në pranga ka përfunduar vetëm një 15-vjeçar, pasi tre personat e maskuar e të armatosur ishin nën moshën 14 vjeç.
Ngjarja
Ka qenë ora rreth 20:00 e së shtunës në kohën kur shefi i krimeve në komisariatin e Lushnjës, bashkë me dy agjentë të policisë kriminale kanë qenë duke lëvizur në një rrugë dytësore të qytetit të veshur civilë dhe me një automjet të tyre. Mësohet se ata pranë vendit të quajtur Ypsiloni në kohën kur përpara u kanë dalë tre persona me maska, njëri prej të cilëve ishte i armatosur me një pistoletë. Teksa i kanë ndaluar, ata kanë kërkuar paratë dhe çka kishin me vete ata. Duke u shtirur sikur po kërkonin xhepat, nisur edhe nga mosha e vogël e tre grabitësve, oficerët e policisë kriminale kanë mundur t'u vënë prangat në duar. Sipas dëshmisë së vetë policëve, bashkë me 3 të miturit ishte edhe një i katërt i cili qëndronte pak më larg. Ky i fundit është vënë edhe ai në pranga pas një periudhe të shkurtër kohore, ndërsa nga dëshmitë e marra nga të miturit grabitës, që ishin të gjithë nën moshën 14 vjeç, ishte pikërisht i katërti ai që e kishte drejtuar bandën e vogëlushëve.
Hetimi
Burime nga policia e Lushnjës bënë të ditur se u bë arrestimi i shtetasit L.V., 15 vjeç, lindur dhe banues në këtë qytet. Mësohet se adoleshenti ka mësuar tre persona më të vegjël se ai në moshë, për të grabitur me armë dhe maska automjetet që kalonin në rrugët e qytetit. Një gjë e tillë është dëshmuar nga tre të miturit, pasi papritur e kanë gjetur veten të prangosur dhe janë dërguar për në komisariatin e policisë. Lidhur me armën që iu gjet me vete fëmijëve, ata janë shprehur se e kanë gjetur në disa godina të pabanuara në periferi të qytetit, ndërsa ende vijojnë hetimet për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes. Tre të miturit janë lënë në gjendje të lirë, ndërsa për adoleshentin janë ngritur akuzat e "grabitjes me armë e kryer në bashkëpunim", si dhe "armëmbajtje pa leje".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›