E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrahën adoleshentin për tasat e makinës, arrestohen

Makinës iu vodhën tasat gjatë kohës që ishte në parking, dy të rinjtë ushtrojnë dhunë mbi punëtorin që duhet ta ruante


TIRANË- Një 17- vjeçar është rrahur barbarisht dy net më parë në kryeqytet pasi nuk ka ditur të ruajë tasat e një makine. Ngjarja ka ndodhur në Rrugën e Durrësit kur adoleshenti është marrë me forcë nga dy persona që e godisnin me grushte shkelma dhe sende të tjera të forta.


Pak orë pas denoncimit të qytetarëve që kishin parë ngjarjen policia ka mundur të identifikojë dhe të arrestojë dy të dyshuarit e krimit, Besnik Gacin 26 vjeç nga Dibra dhe banues në Bërxull, si dhe Hasan Kotarjen nga Kukësi banues në Domje.


Të dy personat e arrestuar, sipas burimeve zyrtare të policisë, mbrëmjen e të dielës, janë afruar tek një lokal nate tavernë në rrugën e Durrësit dhe kanë ndaluar automjetin e tyre. Për të gjetur parkingun për makinën, dy të rinjve, iu është afruar një djalë 17- vjeçar i cili ka kërkuar 100 lekë të reja në këmbim.


Por veç parkimit të rinjtë nuk kanë harruar ta porosisin "punëtorin" që ta ruante mirë veturën e tyre. Ndërkohë që adoleshenti 17 vjeçar ka vijuar punën e tij për të zënë vende të tjera parkimi që liroheshin, veturës së dy djemve i janë vjedhur tasat e gomave. Rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, dy të rinjtë kanë dalë nga lokali dhe kanë vënë re se vetura e tyre nuk kishte tasat e gomave në të dy krahët.


Menjëherë kanë gjetur punonjësin e parkingut që i kishin paguar paratë dhe kanë nisur ta qëllojnë me sende të forta ndërsa i kërkonin se ku kishin përfunduar aksesorët e gomave të tyre. Me forcë ata e kanë futur në veturë dhe kanë nisur të ushtrojnë dhunë mbi të riun.


Më pas ata e kanë dërguar të riun në drejtim të Vorës ku pasi e kanë rrahur me sende të forta dhe grushte e kanë lënë të lirë. Për shkak të dhunës së ushtruar prej dy autorëve, adoleshenti ka marrë plagë të rënda në trup dhe në kokë.


Për këtë shkak ai është dërguar në Spitalin Ushtarak ku pas ndihmës së marrë është gjendur përballë specialistëve të hetimit të zyrës së vrasjeve që i kanë kërkuar atij të dhëna mbi autorët e krimit.


Pas deklarimit të marrë prej të dëmtuarit, policia ka identifikuar autorët duke iu komunikuar atyre edhe akuzat e rrëmbimit dhe pengmarrjes së personit në bashkëpunim dhe plagosjes së lehtë me dashje në bashkëpunim.


Policia ka sekuestruar mjetin në cilësinë e provës materiale ndërsa ndaj të arrestuarve pritet të kryhet edhe komunikimi dhe vlerësimi i masës së arrestit në gjykatë gjatë ditëve në vazhdim.


Të arrestuarit


Besnik Gaci 26 vjeç banues në Bërxullë.
Hasan Kotarja 24 vjeç, banues në Domje.

Akuzat
"Heqjes së pa ligjshme e lirisë" në bashkëpunim
"Plagosje e lehtë me dashje" në bashkëpunim

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›