E Diel, 1 Nëntor 2026

I vjedh 15 mijë euro në PTK

Nga Express më 23 mars 2011 në ora 11:40

Një 25-vjeçar nga Gjilani, punëtor i Postë-Telekomit të Kosovës në këtë qytet, është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim, si i dyshuar për përvetësim parash gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Policia ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur në pikën tre të PTK-së në Gjilan. Togeri Ismet Hashani tha se rasti është hetuar, pasi punëtorja përgjegjëse e pikës tre është kthyer nga pushimi i rregullt dhe ka vërejtur mungesën e 15 mijë eurove në arkë.
“Me rastin e shkuarjes në pushim vjetor, punëtorja përgjegjëse Sh. R. në prezencë të kontrollorit operativ të PTK-së e ka dorëzuar arkën në gjendje të rregullt dhe është zëvendësuar nga R. I., 25 vjeçar, banor i Gjilanit. Por kur të hënën është kthyer nga pushimi, duke e verifikuar arkën në prezencë të kontrollorit operativ ka vërejtur mungesën e 15 mijë eurove”, tha Hashani.

Sipas tij, i dyshuari të hënën nuk është paraqitur në punë, por është thirrur nga policia së pari në postë, ku është arrestuar dhe pastaj është dërguar në stacionin policor. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka pranuar se 15 mijë euro i kishte marrë nga arka për nevoja të tij.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›