Mort mbi ujë, familja i jep lamtumirën nënës 48-vjeçare
SHKODËR - Fati i keq mund të të ndjekë edhe pas vdekjes. Kështu ndodhi dje me Albina Gocajn nga fshati Obot i Shkodrës. Tri ditë më parë, nëna e dy fëmijëve humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik. Tanimë ajo nuk mund të prehet në fshatin e saj. Mjerimi dhe udhëtimi me varkë shoqëruan ditët e fundit të jetës nënën e dy fëmijëve dhe po e shoqërojnë dhe orët e fundit mbi tokë. Arkivoli me trupin e saj u vendos mbi varkë dhe bëri rrugëtimin e fundit për në fshatin Mushan, aty ku dhe do të varroset. Për familjarët dhimbja nuk ka fund. Ka vdekur e zonja e shtëpisë – dhimbje e madhe, por, një tjetër dhimbje është edhe varrosja. Fshati Obot, ku ndodhet shtëpia e viktimës, është i përmbytur prej më shumë se një jave. I shoqi i saj, Pjetri, ndërsa është traumatizuar nga humbja e papritur e gruas, vë duart mbi kokë, ngre kokën lart dhe kërkon ndihmë nga Zoti në qiell dhe nga njerëzit në tokë. “Po ku ta varros?! Shpinë e kam në ujë. O Zot, ça t’kam ba?” - bërtet herë pas here me zë të fuqishëm Pjetri. Njerëz të shumtë i afrohen, mundohen ta qetësojnë, por a mund të qetësohet ai mes kësaj gjëme? Kryetari i komunës së Anës së Malit, Arben Ceni, e merr mënjanë Pjetrin dhe nisin të bisedojnë për ceremoninë e varrimit. Mësohet se gjithçka do të merret përsipër nga komuna Ana e Malit dhe komuna e Dajçit.
Aksidenti
Fshati Obot i Shkodrës është një nga zonat më të dëmtuara nga përmbytja e madhe e këtyre ditëve. Banorët e këtij fshati u evakuuan që para një jave nga banesat e tyre. Mes tyre dhe familja Gocaj. Që prej gjashtë ditësh, Albina Gocaj nuk e kishte parë të shoqin që kishte qëndruar në fshat mes ujërave dhe ishte kujdesur për shtëpinë e mbushur me ujë dhe bagëtinë. Mëngjesin e djeshëm 48-vjeçarja është nisur nga fshati i Paqes (rrëzë malit të Taraboshit) ku ishte strehuar, për të shkuar te bashkëshorti i saj në Obot. Donte të takonte të shoqin dhe të shikonte se çfarë ishte bërë me shtëpinë dhe atë pak mall që kishin arritur ta grumbullonin me punën e përditshme. Por nuk ka mundur të shikojë për të fundit herë as babanë e fëmijëve të saj, as shtëpinë. Ajo gjeti vdekjen në aksident. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:45, në aksin rrugor Shkodër–Murriqan, në afërsi të fshatit Zus të komunës Rrethina. Sipas burimeve policore, në vendin e quajtur “Gurorja” janë përplasur furgoni me targa SH 9253 C dhe furgoni me targa SH 2669 D. Mësohet se njëri po shkonte në drejtim të qytetit dhe tjetri në drejtim të Murriqanit. Si pasojë e përplasjes së fortë mbeti e vdekur në vend Albina Gocaj, ndërsa u plagosën rëndë edhe dy kushërinjtë: V. Gocaj dhe V. Verri, përkatësisht 58 vjeç dhe 54 vjeç. 48-vjeçarja dhe dy të plagosurit u dërguan në Spitalin rajonal të Shkodrës. Mjekët kanë konfirmuar vdekjen e nënës së dy fëmijëve, ndërsa u kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore dy të plagosurve. Menjëherë forcat e policisë kanë nisur punën për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Grupi i ekspertëve ka grumbulluar provat materiale, ndërkohë që është bërë dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit të Shkodrës i dy drejtuesve të furgonëve. Ende nuk është bërë asnjë deklaratë mbi shkaqet e këtij aksidenti. Rruga nacionale Shkodër-Murriqan, që lidh qytetin e Shkodrës dhe gjithë Shqipërinë me pikën e kalimit kufitar me Malin e Zi, është një rrugë shumë e ngushtë për një aks të tillë, ku lëvizjet e shumta të mjeteve janë një dukuri e përhershme. Shumë herë është kërkuar që të bëhet zgjerimi i rrugës, pasi ka pasur edhe raste të tjera aksidentesh.
Lamtumira
Në morgun e Spitalit rajonal të Shkodrës janë bërë dhe ceremonitë fetare të besimit katolik. Më pas është bërë transportimi i arkivolit me trupin e pajetë të Albina Gocajt për në fshatin Mushan. Familja e Pjetër Zef Gocajt jeton në fshatin Obot. Në këtë fshat mysliman nuk ka varreza katolike. Në këto kushte, sa herë ka pasur të vdekur në familjet katolike, varrimi i tyre është bërë në fshatin Mushan, që është pranë me Obotin. Fatmirësisht, në këtë situatë, kur mijëra hektarë tokë janë të përmbytur nga uji, fshati Mushan ka shpëtuar dhe ceremonia mortore e Albina Gocajt do të bëhet aty. Gocaj do të varroset pranë të afërmve të vet. Lamtumira e fundit iu dha asaj nga të afërmit gjatë ceremonisë mortore që u zhvillua dje në orën 12:00.
14 Janar 2010