I vunë gjobë biznesmentit, Gjykata liron adoleshentët

Gjykata e Krimeve të Rënda, ka lënë të lirë 5 të arrestuarit në Shkodër, të cilët i kishin vënë gjobë një biznesmeni dhe e kishin kërcënuar me jetë. Në seancën e sotme gjyqësore, trupi gjykues ka dhënë masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për Dedë Shkëmbin, Denato Nikollin, Grelindo Garuci, Ernaldo Koleci dhe për Flavio Gjonin.
Ndërkohë, vendosja e një gjobe prej 80 mijë eurosh biznesmenit të njohur shkodran Xhavit Kasemi ka çuar në pranga anëtarët e një grupi kriminal. Aksioni i drejtorisë së policisë së Shkodrës i koduar "Ëndrra për milioner" ka përfunduar me sukses, ndonëse situata ishte mjaft e ndërlikuar. Gjithçka i ka ngjarë skenarit të një filmi, ku biznesmenëve nga njëra anë u vendosen gjoba të majme dhe nga ana tjetër kërcënohen me jetën e tyre apo dhe të familjarëve. Pas 3 javësh hetimesh intensive, efektivat blu të Shkodrës falë një pune të mirëorganizuar dhe tejet profesionale, kryer në bashkëpunim me skuadrën operacionale në drejtorinë e policisë së shtetit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë mundur të identifikojnë 5 autorët e krimit. Arrestimi i adoleshentëve gjobëvënës u bë e mundur në orët e vona të së premtes.
Burime zyrtare nga dikasteri i rendit, bëjnë të ditur se rreth orës 23:30 minuta, kur po bëhej dhe dorëzimi i shumës së kërkuar nga ana e biznesmenit Kasemi, u arrit që të kapeshin në flagrancë pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal.