I vunë gjobë djalit të biznesmenit, në gjyq adoleshentët
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi për gjykim pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të tre të miturve “gjobëvënës”, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin e kanë kërcënuar bashkëmoshatarin e tyre me jetën, kundrejt pagimit të10 mijë lekëve të reja. Sipas prokurorisë, nga hetimet e disamujore ka rezultuar se treadoleshentët e pandehur me iniciale G.H.; L.F. dhe P.L. në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” ndaj bashkëmoshatarit të tyre që ndodhej në lagje, biri i një biznesmeni. Gjyqi ndaj tyre pritet të fillojë në shtator, ku do të gjykohen në gjendje të lirë kundrejt masës së sigurisë “detyrim për paraqitje”, masë kjo e dhënë në seancën e vlerësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë tre ditë pas arrestimit të tyre. Sipas akuzës, tre adoleshentët gjatë marrjes në pyetje kanë shprehur pendesë për veprimet e kryera, dukeu justifikuar me fjalët se e filluan për lojë. Sipas prokurorisë, tre adoleshentët duke shfrytëzuar dobësinë fizike të bashkëmoshatarit të tyre komshi dhe të ardhurat e familjes së tij të mira, i kanë kërkuar atij fillimisht t’i siguronte 500 lekë, por më pas i kanë kërkuar që brenda një muaji nëse nuk i dorëzonte tek ata 10 mijë lekë të reja, do ta pësonte keqas. Kjo, e ka frikësuar bashkëmoshatarin e tyre, i cili i ka treguar babait që bashkë me të janë drejtuar në Komisariat për t’i kallëzuar, ku dhe janë arrestuar në momentin që policia kishte bërë dorëzimin e lekëve të kontrolluara.