E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaket Shqipëria, çdo dy ditë vdesin tre vetë

 

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, gjatë prezantimit të punës së dikasterit që ai drejtoi në gjashtëmujorin e parë të këtij viti “lëshoi” alarmin e rritjes së dhunës në familje dhe vetëvrasjeve. Këto të fundit janë rritur dy herë më shumë se numri i vrasjeve në vend. “Për muajin janar-qershor 2008, në Shqipëri janë regjistruar 44 vrasje me armë apo sende të ndryshme, ndërsa po për të njëjtën periudhë kohore policia ka regjistruar në vend 74 raste të vetëvrasjes dhe 15 raste të tjera, të cilat falë ndihmës së personave të dytë kanë mbetur në tentativë për vetëvrasje”,-tha Premçi, duke shprehur shqetësime për shifrën alarmante të rritjes së këtij fenomeni të vetëvrasjes karshi vrasjeve që dikur ishin të shpeshta në vend.

***

Sipas analizës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, rastet e vetëvrasjes në Shqipëri janë rritur nga viti në vit, duke arritur në shifrat që nuk ishin njohur ndonjëherë në vend. Premçi theksoi se gjashtëmujori i parë për policinë nuk ka qenë pak shqetësues për rastet e vetëvrasjeve, pasi thuajse në të gjitha rastet policia është njoftuar pasi është gjetur trupi i viktimës së vetëvrarë. Kjo e bën policinë pak të fuqishme për të luftuar këtë fenomen shqetësues edhe pse policia e shtetit po përdor strategji të ndryshme dhe po punon për gjetjen e një mundësie për parandalimin e këtij fenomeni. Gjithashtu, në analizën e policisë së shtetit drejtori Premçi nuk ka harruar të përmendë dhunën në familje dhe masat e marra nga policia për parandalimin e këtij fenomeni. “Dhuna në familja vazhdon të mbetet shqetësim për vetë faktin se edhe gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore, ndërmjet të tjerave, janë evidentuar: 7 vrasje, 6 plagosje të rënda si dhe mjaft tendenca të tjera kriminale, të cilat kanë dëmtuar gjithsej 258 persona brenda familjes në vende të ndryshme të Shqipërisë”,-tha drejtori Ahmet Premçi. Sipas tij, një punë e mirë është bërë në drejtim të zbatimit të ligjit “Për masat ndaj dhunës në ambientet familjare”. “Kjo është përqendruar në ndërgjegjësimin e të gjithë faktorëve të interesit për parandalimin e dhunës e deri tek marrja e masave parandaluese e shtrënguese nga strukturat e policisë. Vetëm gjatë këtij 6-mujori të parë, nga strukturat e policisë janë përgatitur dhe ndjekur praktikat për 70 urdhra mbrojtje për të dëmtuarat nga dhuna në ambientet brenda familjes”,-tha Premçi.

***

Ndërkohë, një vend të veçantë në analizën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit e kanë zënë edhe aksidentet e ndodhura në rrugët e Shqipërisë, ku edhe pse numri është më i ulët se gjashtëmujorin e vitit të kaluar, numri i aksidenteve me pasojë vdekjen ka arritur shifrën e 137 personave të vdekur në 547 aksidente të ndodhura. “Në kuadër të masave të marra nga Drejtoria e Qarkullimit Rrugor, gjatë këtij gjashtëmujori të parë të këtij viti vihet re ulja e numrit të aksidenteve. Kështu, gjatë këtij 6- mujori ka pasur 547 aksidente me 137 persona të vdekur ose 36 viktima me pak se vitin e kaluar. Ndërkohë, që gjatë 6- mujorit të parë të vitit 2007 kemi 566 aksidente me 173 të vdekur”,-theksoi drejtori Premçi. Sipas tij, gjatë këtij gjashtëmujori ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë 547 aksidente, me 137 të vdekur rreth 157 të plagosur rëndë dhe rreth 406 persona të plagosur lehtë gjatë këtyre aksidenteve në rrugët rurale dhe urbane të Shqipërisë. Gjithashtu, drejtori Premçi vlerësoi punën e policisë në zbulueshmërinë e rasteve kriminale nga vitit i kaluar, ku sipas tij “gjatë këtij 6- mujori kemi rënie të numrit për krime të rënda dhe rritje të forcës zbuluese. Është përmirësuar puna për zbulimin e dokumentimin ligjor të këtyre veprave penale dhe konkretisht janë zbuluar 93 % e krimeve kundër personit, dhe për më tepër 98 % të krimeve kundër shëndetit ku nga 44 vrasjet e ndodhura janë zbuluar 38 prej tyre”. 

Teksa Premçi shprehte shqetësimin për vetëvrasjet, vartësit e kanë njoftuar se 2 persona i kishin dhënë fund jetës

Vetëvritet 50- vjeçari në Fier

Në kohën kur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit perifrazonte para mediave fenomenin shqetësues të vetëvrasjeve, ishin vartësit e tij të cilët njoftuan se mëngjesin e ditës së djeshme një persona ka vrarë veten. Një 50- vjeçar nga Fieri është gjetur i vetëvarur në oborrin e shtëpisë së tij. Baftjar Gjojdeshi, banues në lagjen e Sheqit të Vogël, ka kryer aktin fatal në orët e para të ditës së djeshme. Rreth orës 09.00 të paradites, ai ka pritur largimin e të birit nga shtëpia dhe ka vënë në jetë planin e menduar më parë. Pasi ka marrë një tel elektrik ai ka shkuar mbrapa banesës së tij duke e lidhur telin në një hekur që shërbente për mbajtjen e shtratit të hardhisë. Fundin e saj e ka lidhur rreth qafës dhe për pak sekonda mbasi ka rrezuar një karrige plastike, që e kishte vënë te këmbët, është lëshuar i varur në ajër ku është gjetur i vdekur nga të afërmit e tij. Mësohet se viktima është parë i varur nga disa punëtorë që ndërtonin një pallat pranë shtëpisë së tij. Ata kanë njoftuar fqinjët e më pas policinë. Sipas të afërmëve të viktimës, ai kishte rreth një javë që kishte rënë në depresion si pasojë e vdekjes së gruas gjashtë muaj më parë.

Premçi: Në shkodër kultivohet hashash e jo kërp

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka mbrojtur edhe njëherë para mediave veprimet e policisë së Shkodrës, në lidhje me arrestimin e fermerëve për kultivimin e lëndës narkotike të llojit kanabis sativa, edhe pse këta të fundit pretendojnë se bimët e sekuestruara janë kërp. “Policia e shtetit në bashkëpunim me prokurorinë, përveç kryerjes së analizave të kësaj bime të pretenduar si kërp në laboratorët kriminalistikë në vend, ka kryer analizën e tyre edhe në Romë nga ekspertët më të mirë romanë, ku ka rezultuar se mostra e kërpit ë dërguar për analizë rezulton se është bimë që hyn në familjen e kanabis sativës (hashashit). Ardhja e akt-ekspertimit me anë të letër-porosisë nga Italia ka vërtetuar edhe njëherë se bima e sekuestruar katër fermerëve që tashmë janë arrestuar është hashash dhe jo kërp”,-tha drejtori i policisë Ahmet Premçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›