E Diel, 1 Nëntor 2026

I zhdukur prej 5 ditësh nga Durrësi, këngëtari 9-vjeçar u gjet në Kamzë

Tiranë I mituri rrëfen se ishte larguar, pasi e ëma e kishte rrahur, se nuk çonte lekë në shtëpi

Një fëmijë i zhdukur prej pesë ditësh është gjetur në orët e para të ditës së djeshme, ndërkohë që kur është shoqëruar në polici ka rrëfyer një histori jo të këndshme, duke u shprehur se e kishte rrahur e ëma se nuk kishte çuar lekë në shtëpi, prandaj ishte larguar. Ai është kapur teksa udhëtonte në një makinë me dy të rinj, të cilët nuk dihet për çfarë arsyeje e mbanin me vete, por që kanë deklaruar se e njihnin më parë dhe meqë këndonte bukur, e merrnin për t’i shoqëruar në ambientet e tyre. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se pesë ditë më parë një grua ka denoncuar largimin nga banesa të djalit të saj 9-vjeçar, Frankos. Menjëherë, policia e Durrësit ka marrë gjithë masat për gjetjen e tij, duke njoftuar edhe shërbimet e Tiranës. Pak pas mesnate, një postbllok policie në Kamzë, ka ndaluar një makinë, me të cilën udhëtonin dy të rinj dhe një fëmijë. Ata janë pyetur se çfarë lidhje kishin mes tyre dhe fillimisht nuk kanë treguar. Në këto kushte, duke dyshuar se fëmija mund të shfrytëzohej nga dy të rinjtë, të tre janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit Nr. 5. Mëngjesin e djeshëm, fëmija i vogël është marrë në pyetje, duke deklaruar se personi, i cili e mbante në makinë ishte një shok i tij, pasi e kishte strehuar dhe i kishte dhënë rroba. Më tej, i mituri ka treguar emrin e tij, duke bërë identifikimin e plotë dhe ka treguar që ishte larguar nga shtëpia në Durrës. Ai ka thënë se djali i ri që e shoqëronte e kishte mbajtur në shtëpi edhe rreth një muaj më parë. Madje, i dyshuari ka treguar se 9-vjeçarin e mbante për arsye se këndonte shumë bukur dhe të gjithë kënaqeshin për ta dëgjuar. Edhe kur janë kapur, sapo kishin dalë nga një lokal, pasi i vogli ka dhunti që me anë të përplasjeve të duarve në tavolinë gjen ritmin dhe ka një zë shumë të bukur. Gjithashtu, 9-vjeçari ka kënduar edhe për policët teksa rrinte në zyrën e tyre, kur ata merreshin me punë të tjera dhe atij i duhej të priste për policinë e Durrësit, që të vinte e ta merrte. Ndërsa në lidhje me motivin e largimit, i mituri është shprehur se e ëma e kishte rrahur se nuk i kishte dërguar para në shtëpi, siç e kishte porositur për të lypur. Ai ka treguar se për këtë arsye ishte larguar dhe nuk pranonte të kthehej atje. Në mesditë, një patrullë policie e Durrësit ka mbërritur në Kamzë, duke marrë të voglin, për të cilin do të merret në pyetje nëna e tij dhe do të shikohet nëse ai është dhunuar apo detyruar të lypë në rrugë. Bashkë me të në Durrës janë dërguar edhe të rinjtë, që e mbanin me vete me qëllim që të kryhen hetimet e plota në lidhje me këtë rast.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›