E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuberkulozi, 10% e rasteve paraqiten në forma të rënda

Problem mbeten zonat veriore të vendit. Rastet nuk kanë shfaqur rezistencë ndaj anabiotikëve

Pakkush e di, por një pjesë e mirë e rasteve të prekura nga tuberkulozi zbulojnë se janë sëmurë pas një kolle të thatë.

Drejtohen te mjeku, në dispanseri, dhe më pas dërgohen në spitalin e sëmundjeve të mushkërive “Shefqet Ndroqi”, ku kryejnë një ekzaminim më të specializuar. Konkretisht, tuberkulozi, një sëmundje tërësisht e shërueshme, vazhdon t’i prekë shqiptarët edhe sot. Studimet e spitalit tregojnë se për vite me radhë pacientët shqiptarë kanë qenë me fat për shkak se sëmundja nuk ka bërë rezistencë ndaj anabiotikëve, ndërkohë që janë shumë pak rastet e raportuara që paraqiten te mjeku në stade të avancuara.

Rreth 10 për qind e pacientëve, gati 40 raste, vuajnë nga tuberkulozi në forma të rënda dhe këta janë kryesisht romë, të vetmuar, të papunë. Raportohen vetëm 15 vdekje në vit.

“Zakonisht pacientët vijnë për mjekim pas një kolle të thatë, vizitohen, këshillohen dhe marrin mjekimin falas në çdo dispanseri të qyteteve ku jetojnë. Mund të themi se pacientët drejtohen te specialisti në fillim të sëmundjes, ndërkohë që janë të pakta rastet që paraqiten në stade të avancuara të sëmundjes”, sqaroi Rezart Oketa, drejtor i spitalit të sëmundjeve të mushkërive, “Shefqet Ndroqi”. Sipas tij, rastet trajtohen dhe stafi që kujdeset për këta pacientë raporton se nuk ka komplikacione. “Nuk kemi asnjë rast rezistent ndaj mjekimit, pra që nuk i përgjigjet mjekimi”, sqaroi kreu i “Shefqet Ndroqit”.

Ndërkohë që zonat më problematike mbeten zonat në veri të vendit.
Dibra, Shkodra, Kukësi raportojnë rastet më të shumta të të prekurve nga tuberkulozi. Raste të tjera janë raportuar çdo vit në Pukë e Tropojë. Sipas statistikave, Tropoja raporton 34 raste për 100 mijë banorë, Mirdita 33 raste për 100 mijë banorë, Puka me 28 raste për 100 mijë banorë, Kukësi 27 raste për 100 mijë banorë. “Prej disa vitesh ne jemi të kënaqur me ecurinë e sëmundjes në vend, pasi shohim se rastet janë ulur ndjeshëm, por ka ardhur koha që programet mjekësore të ndërthuren me ato sociale”, sqaroi drejtori i programit kombëtar për parandalimin e tuberkulozit, Hasan Hafizi. Sipas tij, kategoritë më të prekura janë po ato që janë trajtuar edhe vitet e kaluara, të pastrehët, personat me HIV, grupet e margjinalizuara siç janë komuniteti rom e egjiptian.
Sipas tij, problemi thelbësor është mjekimi korrekt i pacientëve të prekur me tuberkuloz, pasi nëse ata e refuzojnë, rrezikojnë veten nga vdekja, por mund të bëhen dhe rezistentë ndaj mjekimit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›