Kuvendi, pro ndarjes së tokave bujqësore
Deputetët demokratë në komisionin e veprimtarisë prodhuese dhe tregtisë kanë dhënë dje votën pro ndarjes së re të tokave të papunuara bujqësore. Plani i qeverisë, i iniciuar në gusht të vitit të kaluar, pritet të nisë zbatimin tre muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit, duke lejuar komunat që të identifikojnë tokat bujqësore të lëna djerrë, grupimin e tyre, si dhe administrimin duke i dhënë me qira. Masa e qirasë do të jetë 30 për qind më pak se vlera e tregut dhe do t’u jepet fermerëve që kanë mundësi t’i punojnë tokat. Drafti i kaluar dje në Kuvendi nuk solli debate, për shkak të mungesës së opozitës, ndërsa specialisti i Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit shpjegoi me detaje ndarjen e re të tokës.
Dhënia me qiraKreu 4 i projektligjit konsiderohet më i rëndësishmi, pasi përcakton qartë rregullat për dhënien me qira të tokave bujqësore të pakultivuara. Te neni 11, “Dhënia me qira për mbjellje dhe afati”, thuhet se, tokat e klasifikuara si toka të pakultivuara, sipas përcaktimeve të neneve 7 dhe 10, të këtij ligji, u jepen me qira të tretëve, vetëm për kultivimin e bimëve të arave, për jo më shumë se 5 vjet. Pronari ose poseduesi i ligjshëm i tokës nuk ka drejtë të bëjë kërkesë për kultivimin e kësaj toke deri në përfundim të afatit të përcaktuar në kontratën përkatëse të qirasë. Me mbarimin e kontratës së qirasë, komuna dhe/ose bashkia ka të drejtën e qiradhënies së kësaj toke, nëse pronari ose poseduesi i ligjshëm nuk ka ushtruar kërkesë për kultivimin e saj. Komuna ose bashkia është autoriteti qiradhënës i tokave bujqësore të pakultivuara, në këtë mënyrë, qeveria vendos që në njësitë vendore të krijohet bordi i qiradhënies (BQ), me 5 anëtarë, ku kryetari është drejtuesi bashkisë apo i komunës. Individët që duan të marrin toka me qira, sipas ligjit të ri, mund jenë persona fizikë apo juridikë, vendas dhe të huaj, që shprehin interes, me shkrim, për këtë veprimtari, pranë komunës ose bashkisë përkatëse.
Mënyrat e dhënies me qira tokave bujqësore të pakultivuara janë pa ankand, në rastin kur paraqitet një kërkesë e vetme dhe me ankand, në rastin kur paraqitet më shumë se një kërkesë. Sa i takon çmimit të qirasë, për toka bujqësore të pakultivuar, masa duhet të jetë 30% më i ulët se vlera e qirasë vjetore të tokave bujqësore, të përcaktuar në pikën 2, të vendimit nr.830, datë 28.12.1998, të Këshillit të Ministrave.
Pagesa e qirasëQiramarrësi paguan vlerën e qirasë për çdo vit pranë komunës ose bashkisë. Pagesa e parë bëhet me nënshkrimin e kontratës, pagesat e tjera bëhen mbas çdo viti. Të ardhurat, që krijohen nga qiradhënia e tokave të pakultivuara, ndahen, si: 80 për qind, në dobi të pronarit apo poseduesit të ligjshëm të tokës; nga shuma e së cilës komuna dhe/ose bashkia mban vlerën e taksës vjetore mbi tokën; 20 për qind, në dobi të komunës dhe/ose bashkisë për mbulimin e shpenzimeve administrative që lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij. Rregullat për administrimin dhe shpërndarjen e këtyre të ardhurave përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.
#