I zhgënjyer me Kombëtaren

Mos grumbullimi në Kombëtare nga ana e selektorit Josip Kuze, për miqësoren me Estoninë, e ka zhgënjyer tej mase sulmuesin Besart Berisha. Kjo nuk ishte hera e parë që futbollisti i Arminia Bielefeld lihet jashtë nga trajneri kroat.
24 vjeçari është mllefosur me këtë vendim. Ai nuk e kupton se pse nuk ftohet në ndeshje të tilla si kjo me Estoninë, e cila do të ishte mundësi ideale për të dhe për futbollistët që kanë minutazh të vogël në Kombëtare, për ta shfaqur atë që dinë, pasi që Berisha zakonisht inkuadrohet në lojë tek Kuqezinjtë në minutat e fundit të ndeshjes.
Momentalisht nuk e di as vet arsyen. Nuk e di se çka po kërkon selektori Kuze. Ai nuk flet me mua asnjëherë, por as të tjerët në Kombëtare. Unë po ushtroj rregullisht. Duhet të më thonë se kjo bën e kjo sbën, që ta di se çka të bëj e çka jo, ku të përmirësohem e ku jo, tha ai.
Ata nuk po flasin me mua, unë pres këshilla dhe udhëzime. Në vend se të më ftojnë në këtë ndeshje dhe të ma japin një minutazh më të madh, ata më lënë jashtë. Kështu kishte ndodhur edhe në ndeshje me Qipron. Nuk po mund ti kuptoj lëvizjet e tyre, ankohet Berisha.
Ish futbollisti i Burnleyt dhe Hamburgut e konsideron veten si e ardhme e Kombëtares shqiptare, kështu që kërkon të jetë i rregullt te ekipi kuqezi.
Unë dhe disa futbollistë të tjerë, jemi e ardhmja e Kombëtares. Neve duhet të na kushtohet më shumë rëndësi. Tek e fundit, unë jam qe 3-4 vjet në Kombëtare dhe duhet të kem tretman më të mirë, të flasin më shumë me mua. Duhet të ketë rregulla profesionale, që ta bëjmë ndonjë marrëveshje, ndonjë mirëkuptim. Kështu nuk shkon, vazhdoi ai.
Kosovari rrëfen se në ndeshjen me Suedinë, të fundit kualifikuese për Botërorin 2010, Kuze i kishte premtuar minutazh, por në fund kishte vendosur që mos ta fuste fare në lojë. Sidoqoftë, Berisha thotë se gjithmonë është i gatshëm që ta japë kontributin e tij dhe maksimumin për Kuqezinjtë, nëse i jepet rasti.
Sulmuesi kosovar nuk ka minutazh të madh as tek skuadra e tij, Arminia Bielefeld. Ky ekip po shkëlqen në Bundesliga 2 gjermane, kështu që trajneri i saj është përqendruar në njëmbëdhjetëshin aktual.
Unë luaj në një ekip të mirë. Kur ekipi i arrin 9 fitore radhazi, nuk pritet që të luash, pasi që trajneri përqendrohet tek ata lojtarë. Por, unë do ta pres shansin. Në futboll është e rëndësishme të besosh, që të mos demoralizohesh. Më mirë është të luash më pak në një ekip që pretendon Bundesligën dhe nesër, pasnesër mund të tregohesh aty, sesa të jesh i rregullt në një klub që rrezikon të bie nga liga, tha Berisha.
Në fund, prishtinasi konfirmoi se nuk e ka ndërmend të lëvizë nga Arminia Bielefeld. Atij i pëlqen projekti i këtij klubi, andaj dëshiron ta respektojë kontratën me klubin gjerman, e cila zgjat edhe dy vjet e gjysmë.