Berisha pas ambasadorëve: Korrupsioni është përhapur
Pas deklaratës së ambasadorëve të BE në vendin tonë, duket se kryeministri, Sali Berisha, ka ulur pak tonet entuziaste të mazhorancës, por vetëm pak.
Berisha ka pranuar se korrupsioni është përhapur. “Progresi i ndjeshëm që ka bërë Shqipëria në këtë luftë, si dhe dokumentacioni i saj, ka bërë që në terminologjinë e këtij raporti jo vetëm të vlerësohen qartësisht arritjet, sikundër të theksohet se sërish i përhapur dhe kjo është absolutisht e vërtetë, sepse nuk mund të bëhet fjalë se korrupsioni qenka i kufizuar vetëm në këtë apo atë institucion dhe zonë. Jo, korrupsioni është përhapur. Raporti me të drejtë thekson se korrupsioni është i përhapur në sistemin e drejtësisë, në shëndetësi, në polici, në dogana dhe e vërteta është se kësaj liste unë personalisht mund t’i shtoj edhe agjenci të tjera”, - tha kryeministri, Sali Berisha. Ai ka pranuar dhe problemin me emërimet në administratë. “Në raport theksohet se në Administratën Publike ka lëvizje të pamotivuara ose të motivuara politikisht dhe nuk dëgjohet sa duhet zëri i Departamentit të Administratës Publike”, - tha Berisha.
Por duket se kaq ka mjaftuar. Pjesa tjetër është lëvdatë për qeverinë. “Ata që e vlerësojnë përparimin si të tillë dhe lexojnë këto raporte, do të gjejnë se kryefjala e pothuaj çdo paragrafi është përparimi. Jo në 100 për qind të rasteve, por numërohen me gishtërinjtë e dorës rastet kur kjo fjalë mungon apo kur thuhet se nuk ka pasur përparim. Ky është tipari dallues më kryesor i këtij raporti”, - tha Berisha.
Edhe pse ka deklaruar se krahasimi i këtij raporti nuk duhet bërë me të kaluarën, Berisha ka vijuar krahasimet gjatë gjithë fjalës. “E vërteta është se raporti në dy çështje madhore të partneritetit evropian ndryshon thelbësisht jo vetëm nga viti 2004 apo 2005, por ndryshon në mënyrë të qartë edhe nga vitit 2007. Kështu, në rast se në raportin e vitit 2007 krimi i organizuar shqiptar vlerësohet si një problem shumë serioz, në këtë raport krimi i organizuar për shqiptar vlerësohet si një problem serioz”, - tha Berisha.
Kryeministri ka garantuar në fjalën e tij se do të garantojë mbajtjen e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. “Evidentohen të gjitha përpjekjet, por problemi është se këto përpjekje duhet të konkretizohen me zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të cilat unë dua të zotohem solemnisht se do të bëjmë çdo gjë që shqiptarët të votojnë të lirë dhe në një proces të ndershëm, më mirë se kurrë. Ky është zotimi im”, - tha Berisha.
Berisha “harron” të komentojnë pavarësinë e institucioneve
Kryeministri, Sali Berisha, ka lënë pa komentuar pjesën e raportit ku theksohet se qeveria po ndërhyn në pavarësinë e institucioneve të tjera. “Raporti ndalet në momentin e zgjedhjes së gjykatësve të Gjykatës së Lartë dhe shpreh se kjo u kapërcye herën e dytë”, - tha Berisha, por harroi të theksojë se në vijim raporti vlerësonte se kjo ishte një tentativë e qeverisë për të ndërhyrë në pavarësinë e institucioneve.
Lëvizja e lirë, Berisha zhvlerëson kushtet e BE
Duke folur për lëvizjen e lirë, kryeministri Berisha, problemet me trafikun ilegal, kontrollin e kufijve, krimin e organizuar, trafikun e qenieve njerëzore ka preferuar t’i emërtojë thjesht disa kushte të tjera. “Këtë vend, ky raport e shpall si një vend që me plotësimin e disa kushteve të tjera, mund të ketë lëvizjen e lirë pa viza të qytetarëve të tij”, - është shprehur entuziast Berisha.
Berisha, sulm medieve, raporti i KE e kritikonte pikërisht për këtë gjë
Kryeministri, Sali Berisha, ka vijuar dje sulmet ndaj medieve, duke thënë se në progres-raport qeveria e tij vlerësohej për raportet me mediat, duke mashtruar kështu hapur. Pikërisht për këto sulme të qeverisë ndaj medias, raporti kritikon qeverinë.
Në raport, në pjesën për Demokracinë dhe Qeverisjen e Ligjit, në fillim të faqes 13, thuhet se është ushtruar presion selektiv ndaj medieve që bëjnë opozitë, duke i akuzuar ato si të lidhura me grupe kriminale. Këtë pjesë kryeministri e fshin me gomë dhe vijon sërish të njëjtat akuza dhe presione ndaj medias. “Liria e shprehjes ka njohur progres të mëtejshëm dhe në dallim nga disa vende përreth nuk ka asnjë ndërhyrje në politikat editoriale të mediave nga qeveria. Por, ka një problem shumë serioz që është pleksja e biznesit, interesave politike dhe mediave, e cila vazhdon të cenojë zhvillimin e mediave të pavarura. Natyrisht që, në qoftë se bën biznes gazetën, nuk të mbetet gjë tjetër vetëm të shitesh e të blihesh te klienti i parë që të dalë. Akoma më e rëndë është mungesa e transparencës lidhur me pronësinë dhe financimet, çfarë i bën mediat të akuzueshme për influenca kriminale. Nuk ekziston legjislacion efektiv për të garantuar transparencën e pronësisë dhe financimit të medieve. Kur në mënyrë të përsëritur unë i kujtoj gazetarëve pronarët e tyre, kjo del dhe në raport. Është arritur në njëfarë kodi, sepse në tërësi gazetat dhe mediat po e botojnë përgënjeshtrimin. Kjo është rruga e duhur, jo procesi gjyqësor, sepse përgënjeshtrimi i mbyll të gjitha problemet dhe e vërteta është se konstatoj që edhe në Shqipëri përgënjeshtrimi po publikohet, pra po funksionon.
Nuk ka pasur kufizime për mbledhjen e mitingjeve. Përpara Kryeministrisë kanë ardhur dhe do të vinë sa herë të duan të protestojnë”, - tha Berisha.
Mblidhet Komiteti ndërministerial për Integrimin, KE kishte kritikuar mosmbledhjen e tij
Kryeministri mblodhi Komitetin ndërministerial për Integrimin, për të dhënë gjykimet e tij për progres-raportin e KE, por harroi të thotë se është pikërisht mosmbledhja e këtij komiteti që është kritikuar në raportin e BE. “Komiteti inter-ministrial mbi Integrimin Evropian kryesuar nga kryeministri është mbledhur vetëm 2 herë”, - thuhet në raportin e BE.