Ambasadorët e BE saktësojnë progres- raportin
Edhe pse vetëm para pak ditësh Komisioni Evropian foli qartë me anë të progres-raportit për gjendjen e reformave në vend, është dashur dhe një saktësim nga ana e ambasadorëve të BE në Tiranë, për të bindur qeverinë se më shumë duhet bërë, sidomos për sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një deklaratë për shtyp, e shpërndarë nga ana e ambasadës franceze, e cila mban kryesimin e BE, rilexon dhe njëherë raportin e KE dhe kërkon nga qeveria që të bëjë më shumë për ato fusha, ku është raportuar progres i paktë ose i limituar.
Mediat nga Brukseli kanë raportuar faktin se është dashur një ndërhyrje e dytë nga ambasadorët e BE, për të bërë të qarta mesazhet e këtij unioni. Sipas dtt-net.com, mënyra se si i kanë interpretuar të dhënat krahët politikë, ka bërë që ambasadorët të dalin me një deklaratë. Po kështu, edhe agjenci të tjera të mëdha të botës e sidomos të rajonit kanë raportuar këtë lajm.
Vetëm komisionari për Zgjerimin, Olli Rehn, gjatë një interviste për “Alsat” tha se duhet bërë më shumë për të luftuar korrupsionin. Rehn shprehu shqetësim për furnizimin me energji dhe për aspekte të tjera të zhvillimit ekonomik.
Ndërkohë në Tiranë, që në fillim, deklarata e ambasadorëve thekson se BE vazhdon të qëndrojë e mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj, se vendi ynë dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në BE, por se ato duhet të plotësojnë reformat e nevojshme.
Më pas deklarata vijon më progres-raportin, duke vlerësuar se vendi ka bërë reforma dhe po ecën përpara. Megjithatë, deklarata vijon në shqetësimin kryesor të ndërkombëtarëve, korrupsionin dhe progresin e paktë në luftën ndaj krimit të organizuar.
“Shqetësime dhe ndonjëherë shqetësime serioze ngelen në fusha kyçe. Në fushën e administratës publike, përpjekje madhore duhen për të ndërtuar një shërbim civil të pavarur, eficient dhe bazuar mbi meritat. Një nga sfidat kryesore të Shqipërisë është të ndërtojë dhe forcojë kapacitetet administrative dhe zbatuese. Për shembull, të heqësh stafin e trajnuar dhe kompetent nga postet e tyre ndikon negativisht në polici dhe departamente të tjera administrative. Sistemi i drejtësisë përshkruhet se funksionon dobët për shkak të problemeve me pavarësinë, besueshmërinë, transparencën dhe mungesën e një strategjie të plotë për reformën në drejtësi. Korrupsioni përshkruhet si një problem veçanërisht serioz për Shqipërinë. Lufta ndaj korrupsionit, veçanërisht në gjyqësor, por dhe kudo tjetër, mbetet një prioritet kyç për Partneritetin Evropian. Në luftën kundër krimit të organizuar është raportuar vetëm progres i kufizuar. Ai vazhdon të jetë një problem serioz në Shqipëri. Gjithashtu, mungojnë kapacitetet e nevojshme për t’u angazhuar në operacione afatgjata, të nevojshme për të luftuar krimin e organizuar.
Në luftën kundër pastrimit të parave, përgatitjet janë në një fazë fillestare. Më shumë duhet bërë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Trafikimi seksual i brendshëm është gjithashtu në rritje.
Shpërndarja e burimeve njerëzore për luftën kundër migrimit ilegal është emergjente”, - thuhet në deklaratën e ambasadorëve.
Më pas raporti vazhdon me shqetësimin për zgjedhjet e ardhshme, duke nënvizuar se mbajtja brenda standardeve e tyre do të jetë faktor kryesor në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE.
“Një nga sfidat kryesore përpara do të jetë mbajtja e zgjedhjeve legjislative të vitit 2009, një çështje me rëndësi qendrore për zhvillimin e marrëdhënieve mes BE dhe Shqipërisë: ato duhet të jenë të lira dhe të ndershme”, - thuhet në deklaratë.
Në përfundim, ambasadorët e BE ofrojnë ndihmën e tyre për vendin tonë, për të çuar më para reformat dhe garantojnë se hapat për para-anëtarësimin mund të hidhen, nëse vërehen përparime në zbatimin e MSA.
Deklarata e ambasadorëve të BE
1/ Në Selanik, drejtuesit e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian nënvizuan në vitin 2003 se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Ky angazhim vazhdon të ngelet i pa sfiduar.
2/ Shqipëria po e përdor këtë ofertë dhe po ecën përpara drejt BE. Konkluzionet e Këshillit të BE në dhjetor të vitit 2006, kanë rinovuar konsensusin për zgjerimin: progresi në rrugën evropiane varet nga plotësimi i kushteve të nevojshme. Prandaj, çdo vend do të gjykohet në bazë të meritave të tij. Dhe këto kushte nuk parashikojnë vetëm adoptimin e një legjislacioni kompatibël me BE, por dhe implementimin e tij.
3/ Raporti i së mërkurës i Komisionit të BE konfirmoi progresin e Shqipërisë drejt BE. Raporti nënvizonte se Shqipëria po implementon mirë Marrëveshjen Interim që ka hyrë në fuqi në fund të vitit 2006. “Bazuar në konsensusin ndërpartiak për BE, reformat kyçe politike po ecin përpara, përfshi dhe reformën zgjedhore.”
4/ Por, gjithashtu ai tregon dhe fushat ku duhet bërë më shumë. Shqetësime dhe ndonjëherë shqetësime serioze ngelen në fusha kyçe.
- Në fushën e administratës publike, përpjekje madhore duhen për të ndërtuar një shërbim civil të pavarur, eficient dhe bazuar mbi meritat. Një nga sfidat kryesore të Shqipërisë është të ndërtojë dhe forcojë kapacitetet administrative dhe zbatuese. Për shembull, të heqësh stafin e trajnuar dhe kompetent nga postet e tyre ndikon negativisht në polici dhe departamente të tjera administrative. Sistemi i drejtësisë përshkruhet se funksionon dobët për shkak të problemeve me pavarësinë, besueshmërinë, transparencën dhe mungesën e një strategjie të plotë për reformën në drejtësi.
- Korrupsioni përshkruhet si një problem veçanërisht serioz për Shqipërinë. Lufta ndaj korrupsionit, veçanërisht në gjyqësor, por dhe kudo tjetër, mbetet një prioritet kyç për Partneritetin Evropian.
- Në luftën kundër krimit të organizuar është raportuar vetëm progres i kufizuar. Ai vazhdon të jetë një problem serioz në Shqipëri. Gjithashtu, mungojnë kapacitetet e nevojshme për t’u angazhuar në operacione afatgjata, të nevojshme për të luftuar krimin e organizuar.
- Në luftën kundër pastrimit të parave, përgatitjet janë në një fazë fillestare. Më shumë duhet bërë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Trafikimi seksuale i brendshëm është gjithashtu në rritje.
Shpërndarja e burimeve njerëzore për luftën kundër migrimin ilegal është emergjente.
5/ Një nga sfidat kryesore përpara do të jetë mbajtja e zgjedhjeve legjislative të vitit 2009, një çështje me rëndësi qendrore për zhvillimin e marrëdhënieve mes BE dhe Shqipërisë: ato duhet të jenë të lira dhe të ndershme.
6/ Ne inkurajojmë Shqipërinë që të forcojë edhe më tej përpjekjet për reforma, veçanërisht në fushat ku është gjetur progres i pakët ose i kufizuar nga progres-raporti i Komisionit. Ne jemi gati të vazhdojmë mbështetjen ndaj Shqipërisë.
Ne besojmë se hapa të mëtejshëm në procesin e para- anëtarësimit janë të mundur, nëse dhe kur do të konfirmohen rezultate më të kënaqshme në implementimin e MSA dhe MI.