E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëmbi: “Me Vllazninë, ndeshja më e vështirë e kampionatit per Partizanin”

Sokol Paja, Gazeta Agon"
Mesfushori i Partizanit Blendi Shkëmbi ka deklaruar se ndeshja me Vllazninë është shumë e vështirë për kryesuesit e Partizanit. Të dy skuadrat kanë nga katër pikë. Pavarësisht rivalëve direktë për titull, ish-lojtari i kombëtares dhe mesfushori i "demave të kuq" tregon se nga Shkodra nuk do të dalë pa pikë. Sipas mesfushorit, që dalëngadalë po e gjen formën e tij më të mirë, rivaliteti është rritur shumë sivjet dhe kampionati është bërë shumë tërheqës dhe luftarak. Në një prononcim ekskluziv për gazetën Agon, mesfushori Shkëmbi flet për ekipin e tij dhe kombëtaren, ku ka deklaruar se ndeshjet nuk janë shitur asnjëherë. Si e mendoni ndeshjen me Vllazninë? Ndeshja në Shkodër do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe them se është më e vështirë, sepse ekipi shkodran është në një moment të mirë. llaznia ka një ekip shumë të mirë, pavarësisht ulje-ngritjeve që ka pasur. Them se do të arrijmë ta kalojmë këtë sfidë të vështirë dhe të marrim një rezultat pozitiv. E shikoni Partizanin pretendent real për Kupë dhe kampionat? Synimet tona si ekip është lufta dhe vazhdimësia në të dy frontet. Kampionati dhe Kupa janë dy qëllimet tona dhe do të japim maksimumin në arritjen e tyre. Dëshira personale e imja është që të fitoj titullin kampion. Për kupën pastaj, të shohim. Kë shikoni si rivalin tuaj më të fortë në Kampionat? Kampionati i sivjetshëm është zhvilluar shumë i fortë dhe me rivalitet. Deri tani kanë qenë lojëra të bukura dhe kampionati ka qenë i mirë, shpresojmë që të mos prishet nga ato gjëra që përflitet shumë së fundmi. Rivaliteti është bërë akoma më i fortë dhe sivjet nuk ka dy skuadra që rivalizojnë, por unë do të thosha që Dinamo, Tirana, Besa, por edhe Vllaznia do të jenë rivale të forta të Partizanit. Si një ish-lojtar i Kombëtares, e prisni një tjetër ftesë në Kombëtare? Do të më pëlqente shumë, por momentalisht kam si synim që të rikthehem në formën time më optimale. Kam pasur disa dëmtime që më kanë privuar shumë nga forma ime, por më gëzon fakti që jam përmirësuar shumë nga ndeshja në ndeshje dhe them se shumë shpejt do të jem aty ku të gjithë janë mësuar ta shohin Blendi Shkëmbin. Dëshiroj të jap maksimumin me ekipin e Partizanit dhe, pastaj, edhe në Kombëtare. Përsëri si një ish-lojtar i Kombëtares, do të ishte më mirë një trajner vendas apo i huaj për Kombëtaren? Unë në Kombëtare kam qenë në kohën e trajnerëve të huaj, si Brigel dhe kam përshtypjen se si Brigeli dhe Barici i kanë dhënë shumë kombëtares. Kam mendimin se nuk do të ishte një gjë absurde që të vendosej edhe një trajner shqiptar për të drejtuar Kombëtaren, pasi edhe në Shqipëri ka trajnerë shumë të zotë. Kombëtares i duhet një trajner që di të sillet si duhet me futbollistët dhe të përgatisë një mentalitet prej fituesi në ekip. A mundet që dy ndeshjet e fundit të Kombëtares të jenë shitur? Në Shqipëri është për të ardhur keq që mentaliteti i njerëzve paragjykon futbollin, njerëzit e cdo gjë. Unë personalisht mendoj se Kombëtarja nuk ka shitur ndeshje që po përfliten aq shumë. Ne kemi një ekip që gjendjen ia dimë të gjithë dhe duhet që edhe humbjen ta pranojmë. Nuk mendoj dhe nuk besoj asnjëherë se janë shitur ndeshjet e ekipit përfaqësues.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›