Salihi, “Myleri” që kaloi idhullin e Ridit

Kur Oto Barici I sugjeroi SV Ridit, Hamdi Salihin, klubi austriak po kërkonte një pasardhës të Sanel Kuljicit. Ish-heroi I tifozëve të qytetit shënoi 49 gola në sezonet 2004-2005 dhe 2005-2006, duke dalë edhe shënuesi më I mirë I Bundesligës austriake. "Ju po merrni Gerd Mylerin shqiptar", - u tha trajneri kroat përfaqësuesve të Ridit, ndonëse ai e kishte më shumë për zemër që Salihi të shkonte tek Rapidi I Vjenës. Fillimisht u mendua që Jovan Damjanovic, një sulmues serb, të ectë në gjurmët e Kuljicit. Ai dështoi. Vetëm kalimi I sulmuesit shkodran, në qytezën e Austrisë në janar 2007 bëri që krahasimi të qëndronte. Tani, ka ardhur koha të bëhen bilancet.
Duket qartë që për "Hamdushin" këto bilance janë pozitive. "Këtë vit ai ka shënuar më shumë gola se Kuljic", - shkruan "nachrichten.at". Salihi realizoi 16 gola në 2007 (deri tani), nga të cilët 6 në kampionatin e sezonit të kaluar, 8 këtë sezon dhe 2 në Kupën UEFA po këtë sezon. Kuljic, më 2006-2007 shkoi në Zvicër, por në gjysmën e parë të vitit 2007 nuk shënoi asnjë gol. Këtë sezon shënoi 7 gola në Bundesligë dhe 5 në Kupën UEFA si dhe një gol për kombëtaren e tij, Austrinë. Gjithsej, 16 gola të shqiptarit ndaj 13 të Kuljicit.
Ish-heroi I Ridit po luan për Austrinë e Vjenës, por është I dëmtuar dhe nuk qe në gjendje të matej me Salihin në ndeshjen e djeshme në Bundesligë, zhvilluar në fushën e Ridit.
Cila do të jetë e ardhmja e Salihit? Nuk është e qartë, ndonëse ai kërkon sfidë më të madhe. Ndoshta Rapidi apo Austria e Vjenës, por vetë kampionati austriak nuk është tepër I konsideruar në Europë. Vetë trajneri I Austrisë, Celhofer pohon me hidhërim se "kudo futbolli po ngjitet lart, vetëm këtu në Austri po shkon për poshtë".
"Ne nuk kemi shpejtësinë e duhur dhe aftësinë në dyluftime", - vazhdon ai. Sidoqoftë, djaloshi I rritur në Shkodër dhe pjekur në Tiranë mund të jetë I kënaqur me faktin që liga austriake është mjaft e ndjekur nga tifozët megjithë statusin e saj të ulët në krahasim me vitet 70-të apo 80-të. Sezoni I kaluar dha edhe rekordin e shikuesve për ndeshje, me 8011 të tillë për takim, një atmosferë që të paktën të shtyn të luash futboll me kënaqësi.
B.Kuka