E Shtunë, 31 Tetor 2026

IFC, EBRD dhe Capital, ndihma për rimëkëmbjen e Shqipërisë

IFC, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe CRG Capital, një prej menaxhuesve kryesore të fondeve për rindërtim, kanë hapur fondin e parë kushtuar investimeve në aktive problematike në Europën Qendrore dhe Lindore. Fondi i Situatave të Veçanta në Europën Qendrore dhe Lindore (CEE) do të investojë në kompani që janë në vështirësi, me synim për të mbështetur rimëkëmbjen e rajonit. Fondi po

ngrihet nga CRG Capital. Ai synon të mbledhë 200 milion euro, ku fillimisht EBRD, IFC, dhe CRG Capital do të angazhojnë një shumë totale prej 36 milion euro. Ai do të përqendrohet në përftimin, kthimin dhe zgjidhjen e aktiveve problematike të Europës Qendrore dhe Lindore. Investimet do të vlerësohen një nga një në të gjithë rajonin e CEE-së.  Kompanitë që kanë portofole aksionesh mund të jenë, ndër të tjera, nga vende ku përfshihen Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Estonia, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Hungaria, Lituania, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia dhe Ukraina. Fondi bën pjesë në Programin e Borxhit dhe të Rimëkëmbjes së Aktiveve, të nisur nga IFC-ja, në mbledhjet vjetore të Grupit të Bankës Botërore në tetor 2009. Parham Pouladdej, Drejtor menaxhues i CRG Capital, u shpreh se kjo mbyllje me sukses pasqyron ecurinë e punës, forcën e ekipit dhe të strategjisë së investimeve të këtyre tre grupeve. Të sfiduarit e mjedisit aktual, siguron mundësi të mëdha për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë e rajonit, u shpreh Pouladdnej. Ndërsa Lars Thunell, zëvendëspresident ekzekutiv dhe Punonjësi Kryesor Ekzekutiv (CEO) i IFC-së, tha se kjo është një nga iniciativat më të mira që po ndërmerr gjithë këto vite. Jemi shumë të kënaqur të punojmë me EBRD-në dhe CRG Capital për këtë iniciativë të rëndësishme në Europën Qendrore dhe Lindore. Duke trajtuar çështjen e borxheve të këqija, ne ndihmojmë në rimëkëmbjen e shanseve për sukses të sistemit financiar të rajonit, me qëllim që individët dhe bizneset e vogla dhe të mesme të kenë qasje më të mirë në financime të përballueshme, u shpreh Thunell. Programi i Borxhit dhe Rimëkëmbjes së Aktiveve është një element kyç i strategjisë së IFC-së për të mbështetur rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore. IFC-ja është i vetmi institucion financiar ndërkombëtar që përqendrohet vetëm në sektorin privat, motori i zhvillimit të qëndrueshëm të tregjeve në zhvillim. Së bashku me IBRD-në, aktualisht IFC-ja po synon rritjen e kapitalit për forcimin e aftësive të saj, me qëllim krijimin e shanseve për të varfrit në vendet në zhvillim duke përfshirë edhe zgjidhjen e problemit të aktiveve problematike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›